Lidhje

Skandali Bill Cosby


Më shumë se 20 gra e kanë akuzuar komedianin Bill Cosby për sjellje të pahijshme seksuale. Ndërsa aktori komik mohon akuzat, dhe ndaj tij nuk ka ndjekje penale, ky skandal ka dëmtuar reputacionin e tij dhe ka tronditur Hollywood-in.

Disa nga akuzat kundër Bill Cosbyt janë bërë publike që më shumë se një dekadë më parë. Por javët e fundit disa gra, njëra pas tjetrës, kanë thënë se komediani i ka droguar, përdhunuar ose ka abuzuar me to seksualisht kur ishin të reja ose adoleshente.

"E dija që më kishin droguar dhe shumë madje."

Autoritetet thonë se shkeljet e pretenduara kanë ndodhur tepër kohë më parë për t’u ndjekur penalisht. Bill Cosby, tani 77 vjeç, i mohon akuzat, por nuk është shprehur shumë mbi këtë argument.

"Nuk kam asnjë koment për këtë."

Opinionisti i Hollywood-it Brian Lowry, i revistës Variety, thotë se skandali ka marr vrull.

"Mendoj se shumë njerëz, të cilët ndoshta fillimisht mund të ketë menduar se meqënëse janë vetëm një ose dy akuzuese ato mund të jenë duke u përpjekur ta dëmtojnë për të përfituar para, kur filluan të shohin se më pas ishin 10, pastaj 12, 15, pothuasje 20, kanë pyetur veten: sa njerëz në të vërtetë do të mund ta bënin këtë për arsye të tilla?"

Komediani Tehran Von Ghasri, në Los Angeles, është rritur duke parë Bill Cosby-n në televizion. Ai mendon se aktori duhet të flasë.

"Për mendimin tim, nëse ai është akuzuar për ngacmim seksual, duhet ta trajtojë këtë temë, për mua si admirues. Ma ka borxh mua këtë gjë."

Zoti Von Ghasri thotë se njerëz të famshëm si Bill Cosby duhet të mbahen në një standard të lartë për shkak të ndikimit të tyre, veçanërisht, në rastin e tij, tek të rinjtë afrikano-amerikanë.

"Për miliona fëmijët që e shohin si model, pavarësisht nëse ai e dëshiron apo jo këtë rol."

Mikesha e zotit Ghasri, avokatja penale Alaleh Kamran, thotë se Bill Cosby është dënuar në mënyrë të padrejtë në mendjen e publikut.

"Në aspektin ligjor, ai nuk është akuzuar. Dhe për sa kohë që nuk është i akuzuar dhe nuk është dënuar, ai është një person i pafajshëm dhe duhet të konsiderohet si i tillë."

Ky është një nga shumë skandale të fundit që kanë tronditur botën e spektaklit në Shtetet e Bashkuara dhe Britani. Ikona britanike Jimmy Savile, i cili vdiq tre vjet më parë, ka qenë objekt i qindra akuzave për sulme seksuale mbi gra dhe fëmijë.

Por një tjetër britanik i famshëm, aktori televiziv Michael Le Vell, u akuzua dhe vitin e kaluar u shpall i pafajshëm ndaj akuzave për përdhunim të një fëmije.

Brian Lowry thotë se skandali është tani pjesë e trashëgimisë së Bill Cosby-t.

"Ai nuk do të jetë më thjesht dikush i cili luajti në një nga shfaqjet më të njohura televizive të të gjitha kohërave, një komedian jashtëzakonisht popullor, aktiv edhe në të 70-at, por trashëgimia e tij do të ketë gjithmonë këtë njollë."

Zoti Lowry thotë se në qoftë se Bill Cosby është i pafajshëm, atëherë ai nuk ka arritur t’i përgjigjet akuzave në mënyrë efektive.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG