Lidhje

Bill Gates kundër shkurtimit të asistencës ndërkombëtare


Themeluesi i kompanisë Microsoft, filantropi miliarder Bill Gates, mbrojti me pasion asistencën ndërkombëtare dhe shprehu frikën se klima politike në Shtetet e Bashkuara dhe Britani mund të sjellë shkurtime buxhetore. Gjatë një fjalimi në Londër, ai paralajmëroi se ulja e këtyre fondeve mund të krijojë një vakum në rolin udhëheqës në botë, që mund të plotësohet nga të tjerë.

Bill Gates dhuron 5 miliardë dollarë në vit për fonde zhvillimi, duke qenë kështu një ndër filantropistët më bujarë në botë.

Gjatë një fjalimi në Institutin Mbretëror të Londrës, ai shprehu frikën se rryma politike po kthehet kundër ndihmave ndërkombëtare.

“Më shqetëson fakti që disa udhëheqës ndërkombëtarë po keqinterpretojnë zhvillimet si arsye për vetëizolim dhe nuk i shohin në thelbin e tyre të vërtetë, si probleme, që megjithëse të vështira dhe që kërkojnë kohë, mund të zgjidhen nëse investojmë për zgjidhje afatgjata”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë donatori më i madh në botë nëpërmjet financimit të programeve afatgjata dhe ndihmave për emergjenca në mbarë botën, si p.sh. paketa e ndihmës prej 1.8 milionë dollarësh për përmbytjet në Peru të këtij viti.

Por, Presidenti Donald Trump ka propozuar një shkurtim të buxhetit prej 43 miliardë dollarësh për ndihmat ndërkombëtare, me qëllim zvogëlimin e borxhit të qeverisë.

Zoti Gates thotë se shumë kritikë të ndihmave ndërkombëtare nuk e kuptojnë progresin e jashtëzakonshëm që është arritur.

“Nëse mund të përmendja vetëm një shifër për të nxjerrë në pah efektshmërinë e axhendës për zhvillimin që nga viti ’90, unë do të përmendja shifrën 122 milionë, që në fakt janë jetët e fëmijëve që janë shpëtuar”, tha zoti Gates.

Ai nuk e pranon tezën se asistenca ndërkombëtare është një pus pa fund.

“Kur bie rreziku i vdekjes së fëmijëve, familjet vendosin të bëjnë më pak fëmijë. Popullsia ulet ndjeshëm, duke i bërë më të mundura ato që përpiqet të realizojë shoqëria: përmirësimin e shëndetit publik, të arsimit dhe mundësive ekonomike”, tha ai.

Fjalimi i Bill Gates në Londër u mbajt ndërsa Britania po përgatitet për zgjedhje të parakohshme në muajin qershor. Britania është një ndër të paktat vende të zhvilluara që përmbushin standardin që ka vënë OKB-ja për të dhuruar 0.7% të GDP-së për asistencë ndërkombëtare. Kryeministrja Theresa May ka premtuar ta ruajë këtë nivel, por në partinë e saj ka shumë që kërkojnë që këto fonde t’i kalojnë ushtrisë.

Zoti Gates tha se ai kërkon të vërë në dukje fakte.

“Kur asistenca ndërkombëtare keqpërdoret, është një krim i dyfishtë, duke vjedhur si nga taksapaguesit, ashtu edhe nga të varfërit. Shumica e asistencës ndërkombëtare mbërrin tek njerëzit dhe ka efekt të jashtëzakonshëm. Do të ketë gjithnjë nevojë për përmirësime. Punojmë në vende shumë të vështira, kështu që kurrë nuk arrin 100% efektshmëri. Por, nxjerrim mësime dhe, si rezultat, ndihmat përdoren më mirë çdo vit”, tha zoti Gates.

Agjencitë e ndihmave thonë se debati po zhvillohet në kohëra shumë të vështira, me rreth 65 milionë refugjatë nëpër botë, me konflikte që përkeqësohen në Lindjen e Mesme dhe me një zi buke që po godet Afrikën Lindore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG