Lidhje

Bill Kovaç, gazetari legjendar me origjinë shqiptare rrëfen jetën


Bill Kovaç, gazetari legjendar me origjinë shqiptare rrëfen jetën
Bill Kovaç, gazetari legjendar me origjinë shqiptare rrëfen jetën

Gazetari legjendar me origjinë shqiptare, Bill Kovaç, thotë se me daljen e mediave të reja, gazetaria është bërë edhe më e rëndësishme se më parë. Ai ka qenë shef i zyrës së gazetës Nju Jork Tajms për Uashingtonin dhe ka luajtur rol në zbulimin dhe publikimin e Dokumenteve të Pentagonit, ngjarje që bëri mjaft bujë në fillim të viteve 70. Zoti Kovaç është gjithashtu autor i librit “Elementë të Gazetarisë”, përkthyer në më shumë se 30 gjuhë dhe lexim i detyrueshëm në universitetet amerikane. Në një intervistë me kolegun Ilir Ikonomi, zoti Kovaç flet për sfidat e reja të gazetarisë dhe lidhjet e tij me Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Si ka ndryshuar roli i gazetarisë që nga koha kur ju punonit për gazetën New York Times?

Bill Kovach: Nuk mendoj se roli ose përgjegjësia e gazetarisë ka ndryshuar, ato vetëm se janë bërë më të rëndësishme. Roli i gazetarit është t'i japë audiencës, qytetarëve, informacionin që atyre u duhet për të bërë gjykime të informuara dhe të mençura rreth njerëzve në pushtet dhe problemeve që prekin jetën e përditshme. Nëse duam të kemi një shoqëri demokratike, kjo nuk mund të jetë një shoqëri e paditur.

Zëri i Amerikës: Në librin tuaj “Elementë të gazetarisë” ju thoni se përkushtimi i parë i gazetarisë është ai ndaj së vërtetës. A është kjo ende e vlefshme sot me daljen e teknologjive dhe mediave të reja?

Bill Kovach: Përkundrazi, është bërë edhe më e rëndësishme. E vërteta është gjëja më e vështirë për t'u provuar. Zakonisht, ne vetëm sa i afrohemi së vërtetës. Me teknologjitë e reja, kemi mijra linja komunikimi tek të cilat ka qasje çdo njeri, mjafton të ketë një kompjuter. Sot, njerëzve u duhet të kërkojnë në këtë sasi gjigante informacioni për të gjetur se cilat gjëra janë të verifikuara, cilat janë mashtrime, cilat janë propagandë e cilat fantazi. Prandaj ky është edhe roli i gazetarëve tani: të ndihmojnë për të sqaruar se cila është e vërteta në tërë atë informacion.

Zëri i Amerikës: Me fjalë të tjera, gazetaria sot është bërë më e komplikuar?

Bill Kovach: Absolutisht më e komplikuar dhe jashtëzakonisht më e rëndësishme. Nëse ka 500 zëra të ndryshëm që të tregojnë se çfarë po ndodh, në këta zëra do të ketë korporata që flasin për qëllime fitimi, zëra politikë që bëjnë propagandë, do të ketë mashtrues por do të ketë edhe disa burime të pakta që ofrojnë informacione të verifikuara. Gjëja e rëndësishme tani është që në këtë mori informacionesh të dimë të dallojmë ato që janë të verifikuara.

Zëri i Amerikës: Cili do të jetë fati i shtypit të shkruar tani që interneti është bërë kaq popullor?

Bill Kovach: Shtypi i shkruar do të vazhdojë të ekzistojë vetëm se nuk do të jetë në letër por në internet. Ai nuk do të zhduket. Edhe televizioni i mbijetoi internetit ashtu si radioja i mbijetoi televizionit. Mjetet dhe mekanizmat e komunikimit ndryshojnë por ato nuk vdesin kurrë plotësisht.

Zëri i Amerikës: Përse ndodh që njerëzit në pushtet në Shtetet e Bashkuara preken kaq lehtë nga shtypi ndërsa një gjë e tillë nuk ndodh për shembull në Shqipëri. Duket sikur politikanët nuk duan t'ja dinë se ç'thotë shtypi për ta. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, media ka arritur të rrëzojë edhe presidentë, si Richard Nixon.

Bill Kovach: Kjo vjen, mendoj, ngaqë gazetarët nuk kanë bërë një punë sa duhet të besueshme, pra që publiku të ketë besim tek ata. Nëse publiku krijon besim te media, atëhere kjo funksionon. Por nëse shtypi nuk i jep publikut atë që ai do apo për të cilën ka nevojë, atëhere ai nuk do të respektohet nga publiku. Nëse publiku nuk ka respekt për shtypin, aëhere përse duhet që politikanët, të cilët kanë akses të drejtpërdrejtë te publiku, ta respektojnë shtypin? Pra, respekti duhet fituar.

Zëri i Amerikës: Dhe si fitohet respekti?

Bill Kovach: Çdo gazetar duhet ta bëjë këtë vetë me punën e tij. Ai duhet të gjejë se cilat janë çështjet më të rëndësishme që prekin qytetarët dhe të hetojë rreth këtyre gjërave; përse ndodhi kjo apo ajo gjë, kush qëndron prapa kësaj ose asaj? Dhe këtë informacion t'ia japë publikut që ky të dijë se cilat ishin ngjarjet që çuan në krijimin e një situate të caktuar. Në këtë mënyrë publiku do të ketë njëfarë ideje se ç'duhet bërë për ta ndryshuar gjendjen.

Zëri i Amerikës: Sa i rëndësishëm është në këtë rast verifikimi i informacionit?

Bill Kovach: Verifikimi i informacionit është me rëndësi kritike. Njerëzit duhet të dinë se ajo që po dëgjojnë, po lexojnë ose po shikojnë është e verifikuar. Kur një njeri, një gazetë apo një televizion i tregon publikut diçka të re, pyetja e parë që bëjnë njerëzit është: nga e di ti këtë? Nëqoftëse nuk na e thua qartë se nga e ke marrë vesh këtë lajm, atëhere ne kemi çdo arësye për mos të të besuar. Mendoj se ky mund të jetë njëri nga problemet me mediat në Shqipëri. Edhe sikur të ishte miku yt më i ngushtë, ti nuk mund t'ia besosh atë që ai të thotë nëse nuk të tregon burimin se nga e ka marrë lajmin.

Zëri i Amerikës: Në vende si Shqipëria duhet mjaft guxim për të thënë të vërtetën. Ç’mendoni?

Bill Kovach: Po, por është e vetmja mënyrë për të gëzuar respekt. Nëse nuk të intereson respekti, nëse nuk je i fortë për të arritur atë që duhet, atëhere nuk duhet të bëhesh fare gazetar.

Zëri i Amerikës: Çfarë është subjektivizmi në gazetari dhe si mund të kapërcehet ai, sipas mendimit tuaj?

Bill Kovach: Subjektivizmi është si një virus, ne të gjithë e kemi atë. Nga jeta, nga përvoja dhe nga dëshirat personale, ne jemi subjektivë. Por një gazetar krijon një metodologji për ta kapërcyer atë. Gazetari ndjek disa hapa të caktuar në verifikimin e informacionit, hapa të cilat e shkëpusin nga subjektivizmi. Pra, jo se ne vetë jemi të paanshëm, por metoda që ne përdorim është si një metodë shkencore, pra ne e verifikojmë informacionin, shtrojmë pyetje rreth tij. Nëse informacioni nuk u qëndron pyetjeve që ne bëjmë, atëhere ne themi: e kam dëgjuar këtë gjë por nuk mund ta provoj, kjo është ajo që di tani për tani por mund të ndryshoj mendim nesër.

Zëri i Amerikës: Por kjo kërkon mjaft ndershmëri nga ana e gazetarit…

Bill Kovach: Nëse një gazetar nuk është i ndershëm ai nuk është gazetar. Integriteti, përgjegjshmëria dhe pranimi i përgjegjshmërisë janë ato që e bëjnë gazetarin.

Zëri i Amerikës: Ç'mund të na thoni për njëanshmërinë politike të mediave, të cilën ne e shohim edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Disa media renditen ose djathtas ose majtas. Për shembull, Fox News në Amerikë shihet si një media konservatore. Ne e shikojmë këtë të aplikohet edhe në Shqipëri.

Bill Kovach: Nuk shikoj ndonjë arsye se përse njerëzit nuk duhet të kenë qasje ndaj çdo lloj informacioni. Mendoj se liria e fjalës nënkupton lirinë e fjalës për të gjithë. Për shembull, nëse je konservator dhe beson në disa parime të qeverisjes që shihen si konservatore, atëhere thuaje këtë. Nuk ka asgjë të keqe përsa kohë që shikuesit e dinë se kjo është një media konservatore. Është në dorën e shikuesit të vendosë nëse do ta besojë ose jo këtë media. Konservatorët mund të të thonë disa gjëra që njerëzit ka nevojë t'i dinë. Liberalët mund të mos i thonë disa gjëra dhe anasjelltas. Ideja për të patur zëra që konkurrojnë është ajo që e bën demokracinë kaq të gjallë dhe interesante. Sepse kështu të gjithë kanë rast të përfshihen në debat. Kjo u jep njerëzve mundësinë të zgjedhin atë informacion që ata besojnë se është i drejtë dhe të nxjerrin vetë përfundime.

Zëri i Amerikës: Por a nuk themi ne shpesh se mediat duhet të jenë të paanshme dhe të pavarura?

Bill Kovach: Po, por ne po flasim këtu për opinionet që shprehin komentatorët në këto media. Pra këta janë opinionistë dhe jo gazetarë. Programe të tilla nuk duhen parë me mendimin se prej tyre do të nxjerrësh fakte. Pra, ti pret që ata të të shpjegojnë se si kanë arritur në një opinion të caktuar. Nëse ata nuk ta thonë, atëhere thjesht mund t'i trajtosh ato si një karikaturë. Është njëlloj si të shikosh një film të bukur, por shikuesi nuk mund të marrë vendime mbi bazën e asaj që thonë njerëzit që flasin në këto programe. Kjo nuk është gazetari por opinion. Opinioni mund të jetë pjesë e një pakete mediatike por jo gazetari.

Zëri i Amerikës: Por edhe opinionistët duhet të respektojnë faktet dhe të vërtetën, apo jo?

Bill Kovach: Opinionistët më të mirë janë në një farë mënyre edhe gazetarë. Anthony Lewis ka qenë për vite me radhë një nga komentatorët më të mirë të gazetës New York Times. Po ashtu siç është sot edhe konservatori David Brooks. Anthony shprehte çdo ditë opinionin e tij por ai gjithmonë i paraqiste lexuesit faktet nga të cilat ishte nisur dhe se si e kishte formuar opinionin nga ato fakte. Pra kemi të bëjmë me shqyrtimin e fakteve nga pikpamja e gazetarit për të arritur tek një përfundim që ishte shumë personal dhe i njëanshëm, në favor të asaj që ai dëshironte të thoshte.

Zëri i Amerikës: Si i hytë ju gazetarisë?

Bill Kovach: Unë hyra në gazetari aksidentalisht. Kisha nisur rrugën për t'u bërë biolog marine. E kisha bërë ushtrinë në marinë dhe, kur mbarova universitetin, isha i martuar dhe kisha dy fëmijë, mora edhe një bursë për të vazhduar studimet në këtë fushë. Një mik më gjeti punë në një gazetë gjatë verës. Javën e dytë të punës, zbulova se një sherif i plotësonte vetë urdhërat për bastisje dhe shkonte e bënte kontrolle nëpër shtëpitë e njerëzve. Bëra një shkrim dhe brenda gjashtë muajve sherifin e hoqën nga puna. Thashë me vete: e çuditshme sa shumë ndryshime mund të sjellësh në këtë botë thjesht duke qenë gazetar. Mora në telefon universitetin dhe u thashë: jepjani bursën ndonjë tjetri sepse unë e kam gjetur profesionin tim. Më vonë kur punoja në Nashville të shtetit Tennessee, zbulova se qeveria e atjeshme kishte një zakon që i merrte vendimet fshehurazi. Ata thërrisnin një komision në atë që e quanin sesion ekzekutiv dhe i nxirrnin gazetarët nga salla. Mendova se ata nuk kishin të drejtë të vepronin kështu, prandaj refuzova të dilja nga salla. Më kërcënuan se do të më nxirrnin me forcë por unë nuk u tunda. Më në fund ata e shtynë mbledhjen. Mëngjesin tjetër ata u mblodhën një orë më herët se zakonisht dhe miratuan një rezolutë me të cilën më ndalonin mua që të mbuloja çështjet e qeverisë. Nëse unë e shkelja këtë ligj, ata kishin të drejtë të më fusnin në burg pa asnjë procedurë ligjore. Unë nuk e përfilla urdhërin dhe shkova të mbuloja mbledhjet e tyre. Ata nuk më lanë të hyja. Unë kisha një avokat me vete dhe i hodha në gjyq. Për herë të parë gjykata federale përdori Amendamentin e Parë për të hedhur poshtë një ligj të një shteti dhe kjo shënoi fillimin e hartimit të një ligji për transparencën e dokumenteve qeveritare në Shtetet e Bashkuara. Pasi shkova të punoj në gazetën New York Times, doli çështja e ashtuquajtur "Pentagon Papers" (Dokumentet e Pentagonit). Qeveria përpiqej të mbante të fshehtë një studim që e kishte hartuar vetë dhe ku pranonte gabimet që kishte bërë duke hyrë në luftë në Vietnam çka kishte kushtuar shumë jetë njerëzish. Së bashku me kolegun Neil Sheehan dhe të tjerë, unë ndihmova për t'i nxjerrë në dritë këto dokumente duke bërë që ato të botoheshin në New York Times. Kjo shënoi fillimin e fundit të Presidentit Richard Nixon.

Zëri i Amerikës: Në parim, a duhet që gazetari të nxjerrë sekrete shtetërore?

Bill Kovach: Parimi që ne zbatonim në gazetën New York Times, kur unë punoja atje, ishte ky: Nëse një sekret shtetëror të cilin gazetari e ka zbuluar është tepër i rëndësishëm, ai duhet bërë publik, me përjashtim të rasteve kur gazetari është i bindur se aty luhet me jetë njerëzish, pra kur dikush mund të vdesë nëse sekreti publikohet. Në raste të tilla, sekreti nuk duhet të publikohet por duhet bërë përpjekje të gjendet mënyra që ai të nxirret gradualisht dhe pa shkaktuar humbje jetësh.

Zëri i Amerikës: Por a nuk dëmtohet interesi kombëtar kur nxirret një sekret shtetëror?

Bill Kovach: Mendoj se interesi kombëtar është një publik i informuar. Publiku nuk mund të marrë vendime të peshuara pa ditur se çfarë po ndodh.

Zëri i Amerikës: Cilat janë rrënjët tuaja shqiptare? Cilët ishin prindërit tuaj?

Bill Kovach: Babai im ishte një jetim nga fshati i vogël Kryekuq i Fierit. Ai erdhi në Amerikë në vitin 1916 dhe u vendos në Chester të Pensilvanisë me një grup shqiptarësh të tjerë. Ai shkoi pastaj në shtetin Tennesse po me këta shqiptarë për ndërtimin e një hekurudhe në malet e këtij shteti. Edhe nëna ime ishte jetime, nga Lekli i Gjirokastrës. Ajo jetonte në Florida por pastaj erdhi bashkë me vëllezërit në Chester. Pasi hekurudha mbaroi, babai hapi një restorant në Tennessee dhe shkoi në Chester për të gjetur një grua që ta ndihmonte për mbajtjen e restorantit. Dhe kështu u martua me nënën time, e cila në atë kohë ishte 15 vjeçe. Ajo kishte vetëm një vit në Amerikë dhe u martua një ditë të shtunë me një burrë që e kishte njohur të enjten. Të dielën ajo nisi udhëtimin për në Tennessee. Të dy kaluan një jetë të mirë. Në qytetin e vogël ku ata jetonin kishte shumë pak njerëz nga Evropa jugore, banorët ishin kryesisht irlandezë ose skocezë. Prandaj ne ishim të ndryshëm nga të tjerët. Më pëlqente ai qytet i vogël por unë desha të bëj gjëra më të mëdha, më të rëndësishme.

Zëri i Amerikës: A u përpoqën prindërit t'ju mësonin shqipen kur ishit i vogël?

Bill Kovach: Prindërit përpiqeshin të më mësonin anglishten për të më dërguar në shkollë sepse në shtëpi flitej shqip. Por kur unë u largova nga shtëpia e harrova shqipen. Jam penduar që e bëra këtë sepse pas shumë vitesh, kur shkova për herë të parë në Shqipëri, u përpoqa ta rikujtoj gjuhën por nuk munda. Më vjen keq për këtë që i bëra vetes.

Zëri i Amerikës: Më vonë, kur u bëtë gazetar, a ju ka interesuar Shqipëria, sistemi i saj politik dhe pastaj kalimi në demokraci?

Bill Kovach: Patjetër. Kam shkruar komente për Shqipërinë dhe kam botuar nja dy në gazetën New York Times që njerëzit të kuptonin se ç'ishte Shqipëria pasi mendoja se ky ishte një vend magjepsës, që kishte përqafuar sistemin komunist e megjithatë nuk ishte pjesë e bllokut sovjetik, por jepte e merrte me kinezët për të mos lejuar rusët të hynin aty. Vendi ishte jashtëzakonisht i izoluar dhe, ndonëse bëra shumë përpjekje për të shkuar atje, Hoxha nuk më la të hyja. Për fat të mirë ai vdiq dhe atëhere unë munda të hyja në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Ju deshët të shkonit atje për të shkruar mbi Shqipërinë?

Bill Kovach: Desha të kuptoja nga kishin ardhur prindërit e mij, desha të njoh njerëzit, të shkruaj për Shqipërinë. Hoxha nuk më lejonte sepse isha gazetar dhe ai nuk lejonte gazetarë të New York Times-it të mblidhnin informacion për vendin.

Zëri i Amerikës: Si ju duket tranzicioni i Shqipërisë në demokraci?

Bill Kovach: Është i vështirë. Është i vështirë sepse Shqipëria ishte tepër e izoluar nga bota, e mbyllur si një iriq dhe kjo nuk e lejoi të zhvillonte një sistem ekonomik. Pra ishte e vështirë që ata të krijonin një bazë ekonomike të mjaftueshme për t'u dhënë njerëzve atë cilësi jetese që ata meritojnë si dhe një qeverisje të bazuar mbi konceptin progresiv të ndarjes së pasurisë. Kjo ende nuk ka ndodhur dhe është e vështirë për t'u realizuar.

XS
SM
MD
LG