Lidhje

Pushohet Billy Bush për bisedën me zotin Trump mbi gratë


Billy Bush, një nga drejtuesit e emisionit “Today” në kanalin televiziv NBC u pushua nga puna, pas publikimit të një kasete në të cilën ai po bënte një bisedë me komente të ulëta për gratë me manjatin e pasurive të patundshme, Donald Trump, i cili tani është kandidat i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Bush u pezullua nga emisioni i mëngjesit, i kanalit NBC pas publikimit të regjistrimit në fillim të këtij muaji.

Kanali NBC të hënën përmes një letre drejtuar punonjësve njoftoi largimin e zotit Bush.

Në kasetën e regjitstruar në vitin 2005, Billy Bush, i cili në atë kohë drejtonte emisionin "Access Hollywood", dëgjohet duke qeshur dhe duke shprehur admirim ndërkohë që zoti Trump po fliste për raste kur kishte prekur apo puthur grate pa dëshirën e tyre. Zoti Trump ka mohuar akuzat për abuzim të grave.

Pas publikimit të kasetës, Billy Bush tha se ndjehej "i turpëruar" nga sjellja e tij. Në një deklaratë të hënën ai tha se është "thellësisht mirënjohës për bisedat që kam patur me vajzat e mia, dhe për gjithë mbështetjen nga familja, miqtë dhe kolegët".

45-vjeçar Billy Bush është nipi i ish-presidentit George H.W. Bush dhe kushëri i ish-presidentit George W. Bush.

XS
SM
MD
LG