Lidhje

Bimët kacavjerrëse dhe rreziku i pyjeve tropikale


Bimët kacavjerrëse dhe rreziku i pyjeve tropikale
Bimët kacavjerrëse dhe rreziku i pyjeve tropikale

Pyjet tropikale në Hemisferën Amerikane dhe rajone të tjera në botë po ndryshojnë me shpejtësi. Studimet e kryera gjatë dekadave të fundit tregojnë se gjithnjë e më shumë, shumica e pemëve në pyjet e Amerikës Jugore dhe Qendrore duhet të konkurojnë për dritë dhe ushqim me “lianat” apo bimët kacavjerrëse. Studimet tregojnë gjithashtu se lianat po rriten aq shumë si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe nivelit të lartë të dioksidit të karbonit në atmosferë saqë po rrezikojnë pemët mbi të cilat jetojnë, dhe në disa raste i thajnë ato. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zulima Palacio e shqyrtoi këtë problem në pyllin tropikal të Panamasë me një shkencëtar nga Instituti Smithsonian për Kërkime Tropikale.

Thellë në pyllin tropikal të Panamasë në ishullin e njohur si Barro Colorado, shkencëtarët nga Instituti Smithsonian për Kërkimet Tropikale kanë studiuar florën dhe faunën për gati 100 vjet.

Stefan Schnitzer është një nga këta shkencëtarë. Ai studioi lianat apo bimët kacavjerrëse, parazitët strukturorë që kërkojnë pemë për mbështetje. Ai zbuloi se këto bimë që rriten në trungun e pemës janë dyfishuar gjatë katër dekadave të fundit.

“Zbuluam se ndoshta rreth 80 përqind e pemëve që janë rreth nesh tani janë në një farë konkurrence me bimët kacavjerrëse. Ritmet e rritjes së tyre janë pakësuar për shkak të këtyre bimëve”.

Por jo vetëm rritjes. Lianat konkurrojnë për lëndë ushqyese në tokë, zënë dritën për pemët dhe mund t’i thajnë ato.

“Mund t’i quash vrasës të lindur. Ajo që është interesante për lianat është se ato kacavirren në pemë, pema mund të rrëzohet dhe lianat rrëzohen bashkë me të por pema thahet ndërsa lianat ende gjelbërojnë”.

Schnitzer llogarit se disa liana janë qindra vjeçare, mbylojnë dhjetra pemë në të njëjtën kohë dhe janë afro një kilometër më të gjata se lartësia e pemëve.

“Zbuluam gjithashtu në këtë zonë se bimët kacavjerrëse po rriten jo vetëm me bollëk por janë edhe më të mëdha”.

Megjithëse disa liana ofrojnë ushqim dhe strehim për kafshët, ato janë shkatërruese për shumë pemë.

Në këtë lianë u zbuluan 10 rrënjë të ndryshme brenda pak metra katrore.

Kjo është një lianë gjigande dhe rrënjët e saj janë pas kësaj peme; ajo konkurron për çdo lloj burimi. Dhe si për të shtuar pengesat, i dërgon degët e saj në majë të pemës ku konkurron gjithashtu edhe për dritën e diellit”.

Schnitzer beson se lianat po rriten më me shpejtësi për shkak të temeraturave më të larta dhe thatësirës. Ai thotë se këto bimë kacavjerrëse ndalin zhvillimin e pemëve dhe marrin dioksidin e karbonit.

Në këtë zonë nuk ka më pemë. Bimët kacavjerrëse kanë marrë kontrollin.

“Si pasojë pemët vyshken dhe duhet 20 apo 30 vjet për t’u mëkëmbur pasi ka kaq shumë bimë kacavjerrëse që ndalin rritjen e tyre”.

Schnitzer dhe ekipi i tij po punojnë pranë gadishullit Gjigand në një zonë tjetër të mbrojtur. Këtu qindra fidane pemësh të 14 llojeve janë gati për t’u mbjellë.

Ekipi i Schnitzerit do të mbjellë fidanët në 16 zona – gjysma me liana dhe gjysma tjetër pa to.

“Ne do të masim jetgjatësinë apo mbijetesën e tyre çdo 2-3 muaj dhe më pas do të bëjmë matje çdo 6 apo 12 muaj. Dhe pas dy apo tre vjetësh do të dimë se cilat pemë do të rigjenerohen më mirë kur lianat janë prezente krahasuar me ato ku ato mungojnë”.

Pas 20 vjetësh, Schnitzer thotë se shkencëtarët do të dinë sesi po ndryshon pylli tropikal dhe si ta mbrojnë atë.

“Pyjet po ndryshojnë dhe kanë marrë një drejtim që mund të rezultojë në më shumë bimë kacavjerrëse që të dominojnë pyjet dhe në disa ku pemët mund t’i tolerojnë ato”.

Përse është kjo e rëndësishme? Schnitzer thotë se pyjet tropikale thithin gati një të tretën e gazit karbonik të globit. Pa pemët për ta thithur këtë gaz të dëmshëm, ndryshimet globale klimatike do të përbënin një kërcënim edhe më të madh.

XS
SM
MD
LG