Lidhje

Libër i ri mbi operacionin për vrasjen e bin Ladenit


Pentagoni: Nëse autori ushtarak ka bërë publike informacione sekrete në librin e tij, çështja mund t'i kalohet Departamentit të Drejtësisë

Një pjestar i forcave të posaçme ushtarake amerikane që vranë udhëheqësin terrorist Osama bin Laden ka shkruar një libër për këtë operacion. Libri i ri ka ngritur shqetësime midis zyrtarëve amerikanë për rrjedhjet e mundshme të informacioneve sekrete. Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se në qoftë se ushtaraku ka bërë publike informacione sekrete në librin e tij, çështja mund t'i jepet Departamentit të Drejtësisë.

Shtëpia botuese amerikane Dutton thotë se libri është shkruar nga një pjestar i forcave speciale Navy Seals me emrin e sajuar Mark Owen, në bashkëpunim me gazetarin Kevin Maurer. Autori bëri një deklaratë përmes shtëpisë botuese Dutton duke thënë se kishte ardhur koha për të "sqaruar disa gjëra” që lidheshin me sulmin e vitit të kaluar në kompleksin pakistanez gjatë të cilit u vra udhëheqësi i grupit terrorist të al-Kaidës.

Por zëdhënësit e Pentagonit dhe të CIA-s thanë se agjencitë e tyre nuk e kishin parë librin dhe ende nuk e dinë nëse aty ka rrjedhje informacionesh të klasifikuara. Të gjithë ata që kanë qenë ushtarakë ose që kanë punuar në agjencitë e zbulimit janë të detyruar t’ua dorëzojnë shkrimet e tyre agjencive përkatëse para se ato të botohen.

Dalja e librit bëhet ndërkohë që administrata e Presidentit Obama po kritikohet për rrjedhjen e informacioneve të klasifikuara që lidhen me operacionin kundër bin Ladenit dhe disa thonë se administrata e ka lejuar këtë për arsye politike.

Shtëpia botuese Dutton thotë se libri është parë nga një ish avokat që është marrë me çështjen e operacioneve speciale. CIA ose Pentagoni mund të ndërmarrë hapa ligjorë kundër autorit apo të përpiqen për të ndaluar botimin e librit.

Libri me titull "Asnjë ditë nuk është e lehtë – Rrëfim i protagonistëve të misionit që vrau Osama bin Ladenin", do të dalë më 11 shtator, në 11 vjetorin e sulmeve terroriste në Uashington dhe Nju Jork. Botuesi thotë se autori do t’ia dhurojë të ardhurat nga libri organizatave bamirëse që mbështesin familjet e trupave speciale Navy Seals të vrarë gjatë viteve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG