Lidhje

Bisedimet Biden-Xi, theksohet nevoja për dialog e bashkëpunim


Shtetet e Bashkuara dhe Kina po diskutojnë nevojën për bashkëpunim dhe dialog, ndërkohë që Nënpresidenti Joe Biden dhe Presidenti kinez Xi Jinping u takuan në Pekin. Ndër çështjet e diskutuara ishte edhe zona e mbrojtjes ajrore që Pekini ka deklaruar dhe që përfshin ishuj të administruar nga Japonia. Kur u takuan me gazetarët, as zoti Biden dhe as Presidenti Xi nuk e ngritën për diskutim çështjen.

Me një diskutim me koreografi të kujdesshme, zoti Xi dhe Nënpresidenti Biden analizuan sfidat me të cilat ndeshen dy vendet në përpjekjet për një marrëdhënie më të fortë dhe besim më të madh. Në komentet për gazetarët dje, ata nuk e përmendën vendimin e Kinës për të krijuar një zonë të mbrojtjes ajrore që i ka dhënë tonin vizitës së zotit Biden në Azi.

Zyrtarët amerikanë thonë se zoti Biden shprehu shqetësimet e Uashingtonit lidhur me zonën e re të mbrojtjes ajrore gjatë bisedimeve me Presidentin kinez. Zyrtarët thanë për gazetarët se nënpresidenti e kishte bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk e njohin zonën.

Në komente të shkurtra për shtypin pas takimit, Presidenti Xi foli për nevojën që Shtetet e Bashkuara dhe Kina të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin një numër sfidash komplekse dhe të thella.

Zoti Xi tha se ekonomia globale ka përjetuar një periudhë ristrukturimi.

"Ekonomia botërore ka kaluar ri-arranxhime të thella. Probleme të mprehta rajonale kanë dalë në pah dhe ka sfida më të dukshme globale si ndryshimet klimatike dhe kërcënimet e sigurisë. Bota nuk është e qetë”.

Presidenti Xi tha se Kina është e gatshme të punojë me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar një model të ri marrëdhëniesh të bashkëpunimit mes fuqive botërore. Ai theksoi gjithashtu nevojën që të dyja palët të respektojnë interesat themelore të njëra-tjetrës, si dhe shqetësimet individuale – një shprehje që shpesh nënkupton pretendimet territoriale të Kinës.

Zoti Biden tha se ajo që i bën përshtypje tek udhëheqësi i ri i Kinës është sinqeriteti dhe qëndrimi konstruktiv për të ndërtuar marrëdhënie të reja me Uashingtonin. Këto cilësi, tha zoti Biden, janë shumë të nevojshme në këtë marrëdhënie.

"Mënyra si jam edukuar është të besoj se ndryshimet paraqesin shanse për përmirësim. Mundësi për përmirësim në sigurinë rajonale, në nivelin global, në sfidat e ndryshimeve klimatike dhe burimet energjetike e një numër sfidash”.

Vendimi i Kinës për të shpallur një zonë të re të mbrojtjes ajrore në brigjet e saj veri-lindore është një ndër sfidat me të cilat përballen të dyja palët ndërsa përpiqen të krijojnë një marrëdhënie të re.
Disa analistë, si specialisti i shkencave politike në Universitetin e Pekinit për Studime Ndërkombëtare Xie Tao, besojnë se mënyra si u prezantua kjo politikë ishte gabim:

"Nëse Kina vërtet kërkon të krijojë një model të ri të marrëdhënieve mes fuqive botërore, një veprim i tillë nuk përputhet me këtë synim. Nuk mendoj se ishte pa vend që Kina të caktonte një zonë të mbrojtjes ajrore, por studiues dhe komentatorë politikë e konsiderojnë shtrirjen e zonës dhe momentin kur u mor vendimi si gabim”.

Vendimi dominoi diskutimet e zotit Biden gjatë ndalesës së parë të turneut të tij në Tokio. Nënpresidenti amerikan theksoi në diskutimet me japonezët aleancën e Uashingtonit me Tokion dhe shprehu shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për zonën e re të mbrojtjes ajrore.

Zoti Biden ngriti idenë që Japonia dhe Kina të ndërmarrin masa për ndërtimin e besimit përfshirë krijimin e linjave për komunikime emergjente në përpjekje për të ulur tensionet. Kina thotë se është e gatshme ta diskutojë këtë temë me Japoninë, por këmbëngul se reagimi ndërkombëtar ka qenë i ekzagjeruar dhe po e shtrembëron synimin e këtij vendimi. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Hong Lei tha se Kina e caktoi zonën për të garantuar sigurinë kombëtare dhe veproi në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Gjatë ditëve të fundit Kina është përpjekur të zbusë tensionet. Para mbërritjes së Nënpresidentit Biden, Ministria e Mbrojtjes nxori një deklaratë ku theksonte se nuk bëhet fjalë për një zonë ndalim-fluturimesh, apo të zgjerimit të hapësirës ajrore kineze. Deklarata theksonte se është e nevojshme të zhvillohet survejim në zonë, por përdorimi i avionëve luftarakë nuk do të jetë i nevojshëm në shumicën e rasteve.
XS
SM
MD
LG