Lidhje

Sfidat për bisedimet e ardhshme me Iranin

  • Andre Nesnera

Negociatorët ndërkombëtarë dhe Irani do të fillojnë më 20 janar negociata të reja mbi një plan të gjerë për të garantuar që objektivi i vetëm i programit bërthamor të Iranit të jetë paqësor. Në një analizë nga Uashingtoni, korrespondenti Andre de Nesnera flet për disa nga vështirësitë me të cilat ndeshen negociatorët:

Faza e re e negociatave zhvillohet pasi palët ranë dakord për një marrëveshje të përkohëshme për ngrirjen për gjashtë muaj të pjesës më të madhe të programit bërthamor të Iranit në shkëmbim për lehtësime të sanksioneve ndërkombëtare që kanë dërrmuar ekonominë iraniane. Negociatorët shpresojnë të arrijnë një marrëveshje të përkohëshme dhe të finalizojnë një traktat të përgjithshëm në gjashtë muaj.

Brent Scowcroft, ish këshilltar për sigurinë kombëtare për dy presidentë amerikanë, Gerald Ford (1974-77) dhe George H.W. Bush (1989-93), thotë se marrëveshja e përkohëshme e cila hap rrugën për negociata më intensive është një hap përpara.

"A do të funksionojë apo jo, nuk e di. Më duket se kanë ndodhur dy gjëra: sanksionet po dëmtojnë ekonomikisht Iranin. Politikisht, është zgjedhur një grup shumë më i moderuar. Sa fuqi ka ky grup i moderuar është vështirë të thuhet, pasi Irani ka një strukturë shumë të ndërlikuar qeverisëse. Por mendoj se këtë radhë ekziston mundësia”.

Gjenerali në pension Anthony Zinni, ish kreu i Komandës Qendrore Amerikane, përgjegjës për operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, thotë se problemi kryesor ishte mungesa e besimit, jo vetëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

"Aleatët tanë në rajon, jo vetëm Izraeli, por edhe Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të tjerë nuk kanë shumë besim dhe ushqejnë mëdyshje për këtë marrëveshje. Shumë prej tyre mendojnë se amerikanët e duan më shumë suksesin e marrëveshjes se vetë Irani dhe kjo mund të shërbejë thjesht si mënyrë për të blerë kohë. Pra duhet punë për të arritur një ndryshim të mirëfilltë në marrëdhëniet e Iranit me Amerikën dhe të tjerët në rajon”.

Ndërkohë që gjashtë fuqitë dhe Irani punojnë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, shumë senatorë amerikanë kanë kërcënuar se do të vendosin sanksione më të rënda mbi Iranin për programin e tij bërthamor. Ligjvënësit thonë se sanksionet që e detyruan Teheranin të ulet në tryezën e bisedimeve do ta detyrojnë të negociojë me vullnet të mirë.

Presidenti Barack Obama është kundër sanksioneve të reja, duke thënë se do të rrezikojnë bisedimet.

"Unë preferoj paqen dhe diplomacinë dhe për këtë arsye i kam dërguar një mesazh Kongresit se tani nuk është koha për vendosjen e sanksioneve të reja, por për të lejuar që diplomatët dhe ekspertët teknikë të bëjnë punën e tyre”.

Marrëveshja gjashtë muajshe mes Iranit dhe fuqive botërore parashikon se nuk do të ketë sanksione të reja nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Qeveria iraniane ka kërcënuar se do të bojkotojë bisedimet nëse vendosen sanksione të reja, ndërsa Presidenti Obama thotë se do t’i vërë veton çdo mase të re të miratuar nga Kongresi.
Gjenerali Zinni thotë se ligjvënësit amerikanë duhet të shohin më parë si do të rrjedhin ngjarjet.

"Tani nuk është koha për të ndërhyrë ose për të ndërprerë ato që po ndodhin. Të shohim çfarë do të rezultojë nga negociatat. Mendoj se do të ishte një veprim i mençur nga Kongresi që të ndjekë me vëmendje bisedimet për të parë ku do të na çojnë; ndërhyrja në këto momente do të ishte gabim”.

Por John Bolton, ish-ambasador amerikan në Kombet e Bashkuara gjatë administratës së Presidentit George W. Bush, mbështet idenë e sanksioneve më të forta.

"Unë mbështes idenë e forcimit të sanksioneve pasi shtojnë presionin mbi regjimin iranian dhe mund të çojnë në rrëzimin dhe zëvendësimin e tij, gjë që do të ishte zhvillim pozitiv”.

Shumë analistë thonë se pavarësisht nga kërcënimi i sanksioneve, negociatat që fillojnë më 20 janar përfaqësojnë shansin më të mirë për marrëveshje. Por ata shtojnë se këto negociata do të jenë shumë më të vështira se bisedimet që sollën marrëveshjen ekzistuese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG