Lidhje

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel thotë se Uashingtoni do të bëjë gjithçka duhet për të mos e lejuar Iranin të ketë armë bërthamore, ndërkohë që në Vjenë vazhdojnë bisedimet ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore.

Zoti Hagel i bëri komentet gjatë një takimi në Jeruzalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili është skeptik për bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit. Zoti Netanyahu tha se Irani po e mashtron komunitetin ndërkombëtar.

Shefi i Pentagonit e siguroi Kryeministrin izraelit dhe popullin e Izraelit se SHBA vazhdojnë të jenë të përkushtuara që Irani të mos ketë armë bërthamore.

Negociatorët nga Irani, SHBA, Franca, Gjermania, Britania, Kina dhe Rusia janë mbledhur në Vjenë për një raund të katërt bisedimesh që kanë si qëllim finalizimin e një marrëveshjeje për të reduktuar programin bërthamor të Iranit në këmbim të një zbutjeje të sanksioneve kundër Teheranit. Ata shpresojnë që të arrihet një marrëveshje deri më 20 korrik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG