Lidhje

Bizneset turke kërkojnë tregje të reja për eksportet e tyre


Bizneset turke kërkojnë tregje të reja për eksportet e tyre
Bizneset turke kërkojnë tregje të reja për eksportet e tyre

Ekonomia turke ka qenë në rritje të vazhdueshme, falë masave të marra kur Ankaraja kërkonte aktivisht të hynte në Bashkimin Evropian. Pas refuzimit, Turqia duket se nuk është më e interesuar për anëtarësim në BE. Ajo po kërkon të promovojë eksportet e veta në vende të tjera dhe po përpiqet të rrisë influencën në rajon.

Eksportues si Erenson, një shoqëri që prodhon kaldaja industriale, po bëjnë plane globale. Në të shkuarën Turqia i prodhonte mallrat duke menduar kryesisht për konsumatorët Evropianë që kërkonin cilësi me një çmim të arsyeshëm dhe me shpejtësi.

“Kjo kaldajë ka informacion për çdo saldator që punoi për prodhimin e tij.”

Drejtori ekzekutiv i firmës Erenson, Ali Eren, thotë se rreth 55 përqind e tregut të eksporteve është në Evropë. Por ai po bashkëpunon ngushtë me zyrtarë të lartë për t’i dhënë fund varësisë së vendit ndaj tregjeve perëndimore.

“Ne po përhapemi në Azi. Tregjet aziatike, por edhe Afrika e veriut me Lindjen e Mesme janë mjaft të rëndësishme për ne. Amerika e jugut përbën një tjetër objektiv për Turqinë, por edhe Rusia është një treg i rëndësishëm.”

Turqia është tashmë ekonomia e 17 më e madhe në botë. Rrugët e qytetit më të madh të saj, Stambollit, janë të mbushura me dyqane të firmave më të shtrenjta. Edhe tregu i vjetër në qendër të qytetit tërheq shumë njerëz përditë. Ngushtica e Bosforit është një nga më të frekuentuerat në botë.

Analisti i Grupit për Krizat Ndërkombëtare Hugh Pope thotë se Turqia kaloi një dekadë mjaft të mirë.

“Eksportet u trefishuan, dhe janë pasuruar shumë e shumë qytetarë. Batica e mirëqënies ndihet në shumë zona, madje edhe në lindjen e largët e të varfër të vendit. Pra ky është një sukses i madh.”

Por industria tekstile turke, dikur në rritje, po fillon të ndiejë pasojat e ekonomisë botërore në ngadalësim. Deri tani, vendi ka arritur të shmangë goditjet më të rënda të pësuara nga bota financiare. Por disa industrialistë janë të shqetësuar se Turqinë e presin kohë më të vështira.

Pronari i një fabrikë për prodhimin e bluzave, Turan Comert, është i shqetësuar prej rritjes së çmimeve dhe konkurrencës nga Azia.

“Rrogat po rriten çdo ditë, çmimi i energjsë elektrike po rritet, dhe unë nuk mund të konkurroj me Bangladeshin. Ata kanë më pak shpenzime se ne. E vetmja gjë që ne kemi tani është cilësia më e mirë.”

Ekonomistët thonë se monedha e Turqisë ka pësuar rënie. Diferenca midis importeve dhe eksporteve është tepër e lartë. Parashikimet për rritjen janë ulur prej viteve të kaluara, në vlerën 2,5 përqind.

Ekonomisti Emre Alkin thotë se rritja e ngadaltë ekonomike përbën një pengesë për planet e Turqisë.

“Ka shqetësime për një ngadalësim, jo për një ulje të butë por për një ngadalësim të rëndë.”

E ardhmja ekonomike e Turqisë, thotë ai, do të varet nga suksesi i ndërtimit ekonomik të bazuar mbi eksportet tradicionale dhe zhvendosjen drejt industrive me teknologji të avancuar si makinat hibride, programet kompjuterike dhe hapësira ajrore.

Deri atëherë, Turqia duhet të mbështetet mbi aktivitietet e biznesmenëve si zoti Eren.

XS
SM
MD
LG