Lidhje

E Premtja e Zezë


Është fundjava e Festës së Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara. Për shumë amerikanë, festa nënkupton një darkë të madhe, kalim kohe me familjen dhe një rast që njerëzit të shprehin mirënjohje. Por kjo festë është e rëndësishme edhe për bizneset e shitjes, sepse për shumë prej tyre, festa shënon fillimin e një sezoni fitimprurës.


Kjo është një ditë me fat për të paktën një gjeldeti.

Por ndërsa në Shtetet e Bashkuara fillon sezoni i blerjeve për festat e fundvitit, shitësit janë mjaft të zënë me punë. Për disa prej tyre, dyqanet duhet të rrinë hapur edhe Ditën e Falënderimeve. Disa blerës e pëlqejnë këtë, por jo të gjithë.


“Dita e Falenderimeve duhet kaluar me familjen, jo nëpër dyqane, thotë kjo grua.”

Pritet që 140 milionë amerikanë të blejnë gjatë kësaj fundjave, prandaj shitësit po bëjnë gjithçka për të fituar sa më shumë, thotë John Arensmeyer i organizatës “Small Business Majority.”

Ai bisedoi me Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it.


“Është shumë e rëndësishme, sepse jemi një ekonomi e nxitur nga konsumi. Shumë biznese varen nga shitjet me pakicë gjatë sezonit të festave.”

Vjet amerikanët shpenzuan rreth 60 miliard dollarë gjatë fundjavës së Festës së Falënderimeve.

Por me rënien e besimit të konsumatorëve, bizneset janë të matur në optimizmin e tyre.

“Ekonomia ka ecur, edhe pse pak si shumë ngadalë. Kështu që kemi shpresa se kërkesat do të rriten ndjeshëm duke filluar të Premten e Zezë dhe gjatë sezonit të festave.”

Sezoni i blerjeve për festat e fundvitit tradicionalisht fillon ditën pas Festës së Falënderimeve, e quajtur shpesh E Premtja e Zezë sepse është dita kur shumë shitës fillojnë të nxjerrin fitime.

Disa biznese i paraprinë Të Premtes së Zezë, duke i hapur dyqanet para se darkat e Falënderimeve të ftoheshin, me oferta dhe ulje çmimesh në gjithçka.

XS
SM
MD
LG