Lidhje

“Black Lives Matter” në vitin 2015


Lëvizja “Black Lives Matter”, “Jeta e zezakëve vlen” po përsërit thirrjet për t’i dhënë fund brutalitetit të policisë dhe po kërkon reformë në sistemin e drejtësisë penale në gjithë Shtetet e Bashkuara. Kjo lëvizje po përpiqet të ushtrojë ndikim tek opinion publik duke hedhur poshtë njëkohësisht kritikat se nuk ka sjellë ndryshime pozitive të mjaftueshme.

Ishte një apel që u përhap në gjithë vendin në vitin 2015. Mijëra përkrahës të lëvizjes “Black Lives Matter” po kërkojnë ndryshime themelore në sistemin e drejtësisë penale në vend.

Lëvizja e krijuar në vitin 2012, e ka rritur mbështetjen gjatë dy viteve të fundit, pas një sërë icidentesh me policinë që sollën si rezultat vdekjen e afrikano-amerikanëve të paarmatosur.

Aktivistët thonë se duan t’i japin fund asaj që ata e përshkruajnë si brutalitet i policisë dhe diskriminim racor në zona kryesisht të banuara nga zezakët.

Anëtari i “Black Lives Matter” Dennis Rodriguez thotë se lëvizja po zgjerohet.

“Kjo lëvizje na i ka hapur sytë për çdo gjë. Na ka ndihmuar të kuptojmë se megjithëse mund të duket se aktualisht nuk kemi force, frytet e punës sonë do të shfaqen së shpejti”.

“Black Lives Matter” e ka rritur profilin e saj përmes protestave dhe një fushate të fuqishme në mediat sociale. Lëvizja po bën presion ndaj ligjvënësve dhe kandidatëve të mundshëm presidencialë për të trajtuar shqetësimet e tyre. Ja ç’thotë aktivistja politike Elsie Scott.

“Na ka nxitur të flasim përsëri për reforma në polici, gjë që e kishim lënë mënjanë që pas 11 shtatorit 2001 kur ishim më të përqendruar tek siguria kombëtare sesa tek aktiviteti i policisë në komunitete”.

“Unë dua të bëj të gjitha përpjekjet që të parandaloj situata të tilla që shkaktojnë pasoja negative,” shprehet ky aktivist.

E.W. Jackson, një prift dhe aktivist konservator thotë se “Black Lives Matter” duhet ta vërë theksin edhe mbi vrasjet që ndodhin mes vetë afrikano-amerikanëve, jo vetëm tek vrasjet nga oficerët e policisë.

///E.W. Jackson///

“Kur paraqet një tablo sipas së cilës, të gjitja problemet e tua kanë të bëjnë me racën apo brutalitetin e policisë, mua më duket se po anashkalon çështje thelbësore”.

Por avokati dhe aktivisti Nkechi Taifa ka një mendim tjetër.

“Ne nuk po themi që jetët e tjera nuk kanë rëndësi. Do të thotë që në këtë moment të caktuar, duhet t’i kushtohet një vëmendje e veçantë atyre që janë prekur më shumë nga ligjet dhe politikat aktuale”.

Megjithatë, ish-oficeri i policisë Leon Threatt beson se “Black Lives Matter” ka qenë një lëvizje më shumë përçarëse sesa bashkuese.

“Nuk duhet të paraqitet si policia kundër komunitetit. Duhet të ndihmojë për të krijuar një mjedis apo platformë për bashkim të komunitetit, për t’i sjellë palët në tryezë që të krijohet besim”.

Udhëheqësit e “Black Lives Matter” thonë se organizata po punon për të ndërtuar marrëdhënie me departamentet e policisë. Ata thonë se do të vazhdojnë të organizojnë protesta për të nxjerrë në pah përplasjet vdekjeprurëse ose të dhunshme mes afrikano-amerikanëve dhe oficerëve të policisë.

XS
SM
MD
LG