Lidhje

Gropa të rrezikshme në Detin e Vdekur


Palma të shkretuara, pa gjethe, me trungje të shtrembëruara nën të nxehtin përvëlues në pikën më të ulët të tokës, janë viktimat e fundit e një dukurie të pazakontë në brigjet e Detit të Vdekur, gropa gjigande që hapen në tokë.

Punëtorët që kujdeseshin për palmat, nuk vijnë më nga frika se mund të thithen nga rrëshqitja e tokës.

Deti i Vdekur po tkurret dhe ndërsa ujërat e tij shterrohen me një ritëm alarmues prej më shumë se një metri në vit, qindra gropa të mëdha, disa sa një fushë basketbolli, disa të thella sa dy kate nën tokë po përpijnë tokën ku dikur ishte bregu.

Rruga me palma në shkretëtirë, një arterje kryesore që përshkon Izraelin dhe Bregun Perëndimor, u mbyll para gjashtë muajsh kur një gropë e thellë u hap në asfalt.

Dikur ishte diçka e rallë, por tani hapen rreth 100 gropa të tilla në vit. Zyrtarët nuk kanë nxjerrë të dhëna për përmasat e dëmit, por janë rrëzuar shtylla të energjisë elektrike, karvane janë përpirë nga toka dhe një kafene e disa shtëpi në dy plazhe të preferuara janë mbyllur.

“Tkurrja e Detit të Vdekur ka shkaktuar probleme të shumta ekologjike, si këto gropa të mëdha dhe ky problem po intensifikohen. Në fillim të këtij viti ne mbyllëm një nga plazhet në Ein Gedi, për shembull dhe ne kemi shtuar një rrugë të re mbi segmentin ku janë gropat”, thotë Dov Litvinoff, Kryetar Bashkie i rajonit të Tamarit, që mbulon pjesën jugore të Detit të Vdekur në Izrael.

Sipas tij, zhvendosja e infrastrukturës është një zgjidhje e përkohshme dhe një zgjidhje e përhershme do të jetë e mundur vetëm me rehabilitimin e Detit të Vdekur dhe kjo kërkon një nismë ndërkombëtare meqë ai lag edhe Jordaninë dhe Bregun Perëndimor.

Edhe nëse të gjithë bashkëpunojnë mund të duhen dekada për të riparuar dëmin ekologjik në këtë liqen të lashtë me ujë të kripur, 400 metra nën nivelin e detit, që vezullon nën diellin përvëlues.

Banka Botërore po punon për një projekt për të shkriposur ujë nga Deti i Kuq dhe per të dërguar mbetjet e procesit me ujë të kripur në Detin e Vdekur, por nuk është e sigurt a do të realizohet dhe grupet ambjentaliste thonë se procesi do të ishte i barasvlefshëm me një pikë ujë në det.

Deti i Vdekur është një destinacion i preferuar turistik.

Avi, një banor i zonës që menaxhon një qendër pushimi në Plazhin Mineral thotë se komuniteti ka vuajtur pasojat e kësaj dukurie.

“Plazhi ishte burimi kryesor i biznesit dhe sillte 80 për qind të të ardhurave. Në gjashtë muajt e fundit që plazhi ka qenë i mbyllur, ishte një tragjedi për komunitetin, përsa i takon efektit tek ekonomia dhe gjithë komuniteti”, that Avi.

Arsyeja kryesore për tkurrjen e detit, është se burimet natyrore ujore, që ushqejnë këtë det janë devijuar për përdorim në bujqësi dhe për ujë të pijshëm. Shpimet në miniera shkaktojnë 30 për qind të dëmit.

Por këto gropa nuk po shfaqen në Jordani ku bregu është më i pjerrët, thotë Guy Dunenfeld, kryeinxhinier i këshillit rajonal i Tamarit.

Instituti Gjeologjik i Izraelit, ka filluar të vëzhgojë rrëshqitjet e lehta të relievit me satelit. Por Dunendeld mendon se situata do të keqësohet.

“Përsa kohë që vazhdon rënia e nivelit të detit, gjendja do të vazhdojë të keqësohet, do të shohim shtimin e këtyre gropave”.

Me tkurrjen e Detit të Vdekur, ujërat e shirave penetrojnë direkt nën tokë duke shkrirë shtresën e kripës, gjë që shkakton shembje dheu.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG