Lidhje

Blair para komisionit për skandalin e përgjimeve


Ish kryeministri britanik tha se gjatë dekadës së tij si kreu i qeverisë, ai mori një vendim politik që të mos konfrontonte median

Ish kryeministri britanik Tony Blair tha sot para një komisioni parlamentar se gjatë dekadës së tij si kreu i qeverisë, ai mori një vendim politik që të mos konfrontonte median. Zoti Blair dëshmoi në një seancë hetimore lidhur me skandalin e përgjimit të telefonave të figurave publike nga gazetarët e një gazete skandalesh, pronë e manjatit të medias Rupert Murdoch.

Zoti Blair dëshmoi për kulturën praktikat dhe etikën e shtypit, duke thënë se ishte e pashmangshme që politikanët kryesorë dhe drejtuesit e medias të ndërvepronin ngushtë me njëri-tjetrin.
“Me të gjitha grupet e mëdha të medias, nëse i prish marrëdhëniet me ta, duhet të ruhesh sepse reagimi është i fuqishëm dhe i pandalshëm. Pikëpamja ime është që në këto rrethana, krijohet situata që media fiton një pushtet të pashëndetshëm në sistem dhe unë gjithmonë jam ndjerë keq në rrethana të tilla”.


Zoti Blair e quajti strategjik vendimin për të mos qenë antagonist me median dhe e pranoi që kjo e ka ekspozuar ndaj kritikave.


Zoti Blair që shërbeu si kryeministër nga viti 1997 deri në vitin 2007, tha se ai druhej se një betejë me median do të ishte aq intensive saqë do ta pengonte qeverinë e tij të funskiononte.


Disa politikanë me peshë janë shfaqur para komisionit hetues që u ngrit vitin që kaloi pas skandalit të përgjimeve me “The News of the World”, pronë e Rupert Murdoch që u mbyll si pasojë e skandalit.


Hetimi i drejtuar nga gjykatësi Brian Leveson po analizon nëse politikanët britanikë nuk arritën të frenojnë aktivitetet e gazetës ose sepse kishin marrëdhënie të ngushta me të, ose sepse ishin të frikësuar nga media.
XS
SM
MD
LG