Lidhje

Mediat: Blatter po hetohet nga SHBA


Agjencitë amerikane të lajmeve thonë se Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter është duke u hetuar nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me skandalin e korrupsionit që ka përfshirë organin qeverisës të futbollit. Ndërkohë Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Loretta Lynch, sot nuk pranoi të komentonte në lidhje me këto njoftime duke thënë se hetimet tani janë përgjegjësi e gjykatave.

Lajmi se 79-vjeçari Sepp Blatter është objekt i hetimeve nga prokurorët federalë dhe FBI-ja erdhi dje disa orë pasi ai papritur dha dorëheqjen nga posti i tij gjatë një konference shtypi në Zyrih.

Ndërkohë Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Loretta Lynch nuk pranoi të komentonte sot në një konferencë shtypi në Letoni mbi njoftimet se Blatter po hetohet nga autoritetet amerikane.

Loreta Lynch, Prokurore e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara

“Ne nuk mund të komentojmë rreth individëve të tjerë që mund të jenë apo mund të mos jenë nën hetime. Hetimet janë duke vazhduar, është hapur rasti, dhe tani ne do të flasim përmes gjykatave. Unë thjesht dua të falenderoj përsëri autoritetet zviceriane që bashkëpunuan me ne në koordinimin e arrestimeve të javës së kaluar”.

Sep Blatter dje gjatë njoftimit për dorëheqjen e tij tha se sfidave të FIFA-s nuk i ka ardhur fundi.

"FIFA ka nevojë për një ristrukturim të thellë. Edhe pse anëtarët e FIFA-s më dhanë një mandat të ri, më rizgjodhën president, ky mandat nuk duket se ka mbështetjen e të gjithëve në botën e futbollit. Përkrahësit, klubet, lojtarët janë ata që frymëzojnë jetën në futboll".

Jacob Frenkel, ish prokuror federal në Shtetet e Bashkuara, thotë se nuk është i befasuar nga dorëheqja e zotit Blatter.

Jacob Frenkel, ish prokuror federal

“Të gjithë, përfshirë zotin Blatter, e dinin se ky hetim po lëviz me shpejtësi dhe kishte në shënjestër edhe atë. Pas fitores, tani ai mund të thotë, ‘unë fitova zgjedhjet. Tani, është në rregull për mua të jap dorëheqjen dhe t’i hap rrugën dikujt tjetër që ta reformojë organzatën”.

Zoti Blater dha dorëheqjen vetëm pak ditë pasi u rizgjodh për një mandat të pestë si president i FIFA-s.

Blater ka kërkuar organizimin e një kongresi të jashtëzakonshëm të federatës së futbollit për të zgjedhur një president të ri dhe ai pritet të qëndrojë në post deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Ekspertët thonë se zgjedhjet e reja do të mund të zhvillohen mes dhjetorit të këtij viti dhe marsit të vitit të ardhshëm.

Njoftimi për dorëheqjen është kulmi i një jave të trazuar për FIFA-n, që filloi të mërkurën e kaluar kur agjentët e FBI-së dhe policia zvicerane bastisën zyrën ku po mbahej një takim i udhëheqësve të lartë të federatës në Zvicër dhe arrestuan shtatë zyrtarë të cilët do të ekstradohen në SHBA nën akuzat për korrupsion.

Zyrtarët janë në mesin e 14 njerëzve të akuzuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për shantazh, mashtrim dhe pastrim të parave në një skemë që prokurorët thonë se janë përfshirë edhe drejtues të mediave sportive të cilët thuhet se kanë paguar ose kanë rënë dakord të paguajnë më shumë se 150 milion dollarë në këmbim të të drejtave të marketingut për turnet e futbollit.

Autoritetet zvicerane kanë nisur gjithashtu një hetim të veçantë kundër një grupi të individëve të dyshuar për keqmenaxhim dhe pastrim parash në përpjekjet për t’i dhënë Rusisë të drejtën e organizimit të Kupës së Botës në vitin 2018 dhe Katarit në vitin 2022.

Akuzat për korrupsion përfshijnë edhe një pagesë prej 10 milionë dollarësh nga zëvendësi kryesor i Sepp Blatterit në FIFA, Sekretari i Përgjitshëm Jerome Valcke, në lidhje me përpjekjen e suksesshme të Afrikës së Jugut për të organizuar Kupën e Botës në vitin 2010.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG