Lidhje

Pezullohen për 90 ditë Blatter dhe Platini


Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter dhe pasuesi i tij i mundshëm, kreu i UEFA-s Michel Platini, janë pezulluar për 90 ditë, siç njoftoi komisioni i etikës i organizatës botërore të futbollit.

”Gjatë kësaj periudhe, këta individë ndalohen nga çdo aktivitet futbolli në nivel kombëtar ose ndërkombëtar”, tha në një deklaratë të enjten komisioni i etikës i FIFA-s.

Komisioni pezulloi gjithashtu për 90 ditë Sekretarin e Përgjithshëm të FIFA-s, Jerome Valcke, të cilit që më parë i ishte dhënë leje administrative dhe ndaloi ish-nënpresidentin e FIFA-s Chung Mong-joon për 6 vjet duke e gjobitur me 100 mijë franga zvicerane.

FIFA përballet me hetime ndërkombëtare në Zvicër dhe në Shtetet e Bashkuara për korrupsion në nivelet më të larta dhe masat e tanishme ndaj personave më të fuqishëm në futbollin botëror, e thellojnë në mënyrë drastike krizën brenda saj.

Prokurorët zviceranë hapën muajin e kaluar një hetim penal për zotin Blatter, lidhur me një kontratë për të drejtat televizive të Kupës Botërore të Karaibeve, që ai kishte nënshkruar dhe një pagesë prej 2 milionë frangash zvicerane, që i kishte bërë kreut të UEFA-s, Platini në vitin 2011.

Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës tha se Platini kishte luajtur një rol që qëndronte mes dëshmitarit dhe të akuzuarit.

Blatter ka qenë President i FIFA-s që nga viti 1998 dhe ka punuar 40 vjet në këtë organizatë.

Zvicerani 79 vjeçar i tha një reviste germane këtë javë se hetimi penal kundër tij është i padrejtë.

Sot para njoftimit, Platini tha se do ta luftonte çdo vendim kundër tij dhe kritikoi ashpër organizatën botërore të futbollit.

Valcke, krahu i djathtë i Blatterit gjatë tetë viteve të fundit, u pezullua muajin e kaluar nën akuzat se ishte përfshirë në një skemë për shitjen e biletave të Botërorit 2014 me çmime të larta. Ai i ka mohuar akuzat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG