Lidhje

Bleta robotike kërkon të zbulojë komunikimin


Shkencëtarët në Berlin kanë krijuar një bletë robotike që ndërvepron me bletët e gjalla. Ata shpresojnë se roboti do të bëjë që të kuptohet më mirë mënyra se si komunikojnë bletët - diçka për të cilën kanë vrarë mendjen për dekada me radhë.

Shkencëtarët në Universitetin Freie të Berlinit janë entuziastë për bletën robotike që mund të fluturojë me bletët e gjalla në koshere. Vallja e bletës është një pjesë integrale e sistemit të komunikimit mes tyre.

Çdo ditë bletët punëtore duhet të vizitojnë mijëra lule për të mbledhur nektar të mjaftueshëm për të prodhuar mjaltë dhe polen me të cilën ato ushqejnë larvat.

Por, ato që për syrin e pastërvitur mund të duken vetëm si udhëtime të pa ndonjë qëllim për të gjetur lule në mënyrë të rastësishme, janë në të vërtetë shpesh udhëtime të planifikuara përmes komunikimit.

Vallja është një pjesë integrale në komunikimin mes bletëve, thotë Tim Landgraf, një nga shkencëtarët që punojnë për projektin e bletëve robotike.

"Vallja do të thotë se ato kanë një sjellje të caktuar në koshere. Kështu ato fluturojnë jashtë që të gjejnë nektar, apo të gjejnë një pemë në lulëzim. Pastaj shkojnë përsëri në koshere dhe lëvizin në një mënyrë të caktuar. Bletët e tjera e ndjekin kërcimin. Dhe të gjtha e dinë se ku të shkojnë."

Vallja e bletëve u përshkrua fillimisht nga shkencëtari austriak, Karl Von Frisch në vitin 1940. Duke punuar në Universitetin e Mynihut në Gjermani, ai dhe ndihmësit e tij kaluan dekada të tëra duke studiuar bletët për të përcaktuar se si ato e komunikojnë vendndodhjen e ushqimit.

Në vitin 1943, duke punuar në Grac në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, ai e përshkroi kërcimin e bletëve në një revistë austriake të zoologjisë. Teoria u testua, dhe, edhe pse ajo ka ende skeptikët e saj, mjaftoi që komiteti i çmimeve Nobel t'i jepte atij çmimin në fiziologji ose mjekësi për vitin 1973.

Por edhe sot nuk dihet shumë në lidhje me kërcimin. Për shembull, nuk është plotësisht e qartë se si bletët mund të ndjekin vallen në koshere në errësirë të plotë.

Gjithashtu, shumë nga lëvizjet e valles së bletëve janë të paqarta.

Megjithatë, shkencëtarët e kuptojnë se si bleta u tregon bletëve të tjera një vend të caktuar, i cili tregohet kryesisht përmes kohëzgjatjes së valles, dhe se si ajo është e pozicionuar në lidhje me diellin.

Siç shpjegon Landgraf, shkencëtarët mendojnë se kanë arritur një kufi se sa mund të mësojnë vetëm duke ndjekur lëvizjet e bletëve.

"Në një pikë arrin kufirin pra duhet diçka që të komunikojë me to. Dhe këtë na e bën roboti," thotë Landgraf.

Projekti i bletës robotike ka qenë aktiv prej gjashtë vjetësh, pra që nga viti 2006.

Gjatë vitit të fundit, shkencëtarët kanë përdorur robotin për të testuar teorinë e vallëzimit që Karl Von Frisch zhvilloi dekada më parë.

Për të treguar vendndodhjen e nektarit ose polenit pranë kosheres bletët vallëzojnë me një lëvizje rrethore. Për të treguar një vend më shumë se 150 metra larg, bletët bëjnë një valle më të ndërlikuar në një formë me 8 lëvizje. Në këtë valle këndi i lëvizjes lidhet me drejtimin ku bletët duhet të fluturojnë kur të largohen nga kosherja.

Kohëzgjatja e valles tregon distancën - dhe sa më i gjatë të jetë vallzimi – aq më larg është pema apo lulja që bleta vallëzuese po u tregon bletëve të tjera. Me një balerinë robotike, shkencëtarët tani mund të fillojnë të kuptojnë lëvizje të caktuara për të parë se si ato e ndryshojnë sjelljen e bletëve.

"Kemi krijuar një valle artificiale dhe po testojmë se si funksionon," thotë ai.

"A e kuptojnë ato? A fluturojnë ku ne duam që ato të fluturojnë? Cilat pjesë të valles janë informative?"

Truri i bletës është rreth 1milimetër si diametër. Por fakti që ato janë në gjendje të komunikojnë për vende të veçanta nëpërmjet llogaritjeve komplekse që përfshijnë kënde dhe distanca është diçka që i ka tërhequr shkencëtarët për dekada të tëra.

Raul Rojas është profesor i inteligjencës artificiale në Freie Universitet (Fraje Univerzitet) të Berlinit dhe ka qenë i përfshirë me projektin e bletëve robotike që nga fillimi.

Ai mendon se deshifrimi i plotë se si komunikojnë bletët do të jetë një hap i madh përpara për shkencën, edhe pse nuk mund të ketë ndonjë përdorim praktik të menjëhershëm.

"Vallja e bletëve është një lloj komunikimi i mahnitshëm, sepse është një komunikim me simbole. Dhe nuk ka shumë shembuj të komunikimeve simbolike në botën shtazore," thotë ai.

"Në se do ta kuptojmë më mirë këtë komunikimi, kjo do të ishte një arritje për shkencën bazë dhe për shkencën në përgjithësi."

XS
SM
MD
LG