Lidhje

Biçikletat me dy vende ndihmojnë të verbrit


Në rrugët e Amerikës, qëllon ndonjëherë të shohësh biçikleta dyshe, me dy vende dhe dy palë pedale. Këto lloj biçikletash po bëhen shumë popullore mes të verbërve. Në shumë qytete amerikane dhe vende të tjera të botës, të verbrit po blejnë këto lloj biçikletash dhe i përdorin ato me partnerë që shohin.

Një klub çiklishtësh në rrethinat e Uashingtonit krijon kushte për të verbrit. Klubi quhet Çiklistët e së Martës Mbrëma. Bonnie O'Day dhe bashkëshorti i saj, Bob Hartt mbërrijnë të parët. Ata do të përdorin biçikletën me tre vende të Mark Mulliganit.

Ndërkohë, dy çiklistë të tjerë, Jim Durham dhe partnerja e tij e verbër Margaret Zalenska bëhen gati.

Margaret dhe Jim sigurohen që radioja komunikuese punon në rregull. Edhe Bob and Mark, diskutojnë se cfarë duhet të kenë parasysh para së të nisen.

Durham e ka skicuar me kujdes rrugën, që pesë çiklistët e njohin mirë.

“Koha është e mirë. Do të ndalemi tek shenjat e stopit. Keni pyetje? Atëherë, jemi gati”, thotë ai.

Ata dalin me lehtësi nga rrugët e lagjes, në ato të qytetit dhe pastaj i afrohen një zone me rrugë çiklistësh mes pemëve, drejt lumit Potomac. Mark Mulligan quhet kapiten i ekipit të çiklistëve. Ai duhet të sigurohet që nuk ka të papritura për çiklistët e verbër që ulen pas tij.

“Pra, detyra ime është t’u them se ç’kemi përpara, ç’ndodh përreth. Unë e quaj veten, guidë turistike. Përpiqem të përshkruaj ambjentin, ndërsa i japim biçikletës”.

Pas dhjetra shëtitjeve të tilla, të tre çiklistët punojnë si një mekanizëm preciz, të koordinuar mirë me njëri-tjetrin dhe të mësuar me ambjentin përreth. Bob Hartt thotë se kjo i ngjan një vallëzimi të koreografuar.

“Është një ndjesi e mrekullueshme, kur fiton shpejtësi dhe kalon nëpër kthesa dhe je komplet i sinkronizuar. Ndjen flladin, ndjen freskinë e erës dhe është shumë zbavitëse”.

“Kam shansin të jem në natyrë, të bëj një aktivitet më energjik sesa i ecuri, gjë që më pëlqen shumë dhe ndërsa përshkoj objektet e ndryshme, ndjej aromat e ndryshme. Ndjej erën në fytyrë dhe erën e luleve, ose të një pastiçerie”, thotë Bonnie O’Day.

Pas afro tre orësh, çiklistët i afrohen destinacionit, të lodhur, të uritur por të lumtur, si cdo çiklist që sapo ka përshkuar 40 kilometra, thotë Bonnie O’Day.

“Ne nuk jemi aspak të pazakontë. Ka plot të verbër që i japin biçikletave me dy ose më shumë vende. Dhe njerëzit që na shohin, nuk e dinë që ne nuk shohim. Pra, ne thjesht po bëjmë diçka të zakonshmë si gjithkush tjetër dhe mendoj se kjo është diçka shumë e mirë”.

Shëtitja me biçikletë përfundon ashtu sic filloi: me një ndjenjë të fortë solidariteti dhe besimi që vazhdon edhe pasi dielli ka perënduar.

XS
SM
MD
LG