Lidhje

Shqipëria me 13 blloqe për kërkim nafte


Qeveria shqiptare dhe grupi ndërkombëtar IRN po zhvillojnë në Tiranë një takim dyditor për të paraqitur blloqet e lira për kërkim nafte dhe gazi si dhe mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për investime në fushën e hidrokarbureve.

Disa nga kompanitë më të njohura në botë si Shell, BP, ENI, SOCAR, Exxon Mobil, Anadarko, Fluxis, NIS e Repsol morën pjesë në takimin ku qeveria shpjegoi dhënien e tre blloqeve të para për kërkim hidrokarburesh.

Përfaqësues të qeverisë pohuan se në të kaluarën blloqet iu dhanë kompanive që nuk i përmushën detyrimet, ndërsa tani procedurat konkurruese pritet të afrojnë shoqëri serioze në kërkime dhe investime.

Krahas blloqeve në tokë, që do të jepen sipas ligjit të ri për hidrokarburet të sapomiratuar nga parlamenti, qeveria po bën gati me studime sizmike edhe blloqet e lira për kërkim në dete, për tё organizuar ankandet për të 13 blloqet e lira të naftës dhe gazit në vend.

Kërkime të mëparshme kanë nxjerrë, që në to mund të fshihen rezerva të mëdha, sidomos në blloqet lindore dhe juglindore të Shqipërisë.

“Reforma në këtë sektor nisi me ndryshime ligjore që lehtësuan procedurat për të gjithë investuesit”, - tha kryeministri Rama. Sipas tij, qeveria do të jetë rregullator aktiv në këtë treg, duke kontrolluar konkurrencën pa cënuar standartet.

Qeveria shpreson të kryejë këtë vit privatizimin e shoqërisë shtetërore Albpetrol. Vlerësimi financiar dhe dokumentet e privatizimit po kryhen me ndihmën e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Kryeministri Rama tha se ky privatizim po kryhet me një pikëpamje krejt tjetër nga qeveria e mëparshme, ndërsa shteti do të marrë të gjitha të drejtat që sot i gëzon Albpetroli.

Megjithatë Albpetroli mbetet një pasuri me vlerë dhe qeveria siguroi kompanitë që do të shprehin interes për të se privatizimi do të jetë transparent në një garë tё hapur dhe konkurruese.

Shpresa më të mëdha Shqipëria i mban ndërkohë nga Gazsjellësi Trans-Adriatik, i cili po nxit gazifikimin e rajonit dhe ndërlidhjet energjetike të shumëfishta të tij.


XS
SM
MD
LG