Lidhje

Mësuesja që rrezikon jetën për fëmijët e ngujuar


Atje ku kanë frikë të shkojnë shumica e njerëzve, madje edhe policia, Liljana Luani dërgon libra, sende të tjera shtëpiake, por mbi të gjitha, përvojën e saj të gjatë në ndihmë të familjeve të prekura nga tradita e gjakmarrjes. Mësuesja 56-vjeçare nga Shkodra përdor kohën e saj të lirë për të udhëtuar në fshatrat e largëta ku fëmijët jetojnë të ngujuar.

Fshatarët nuk reagojnë, madje edhe qeni që ruan shtëpinë e njeh, ndërsa Liljana hap portën metalike dhe hyn në një shtëpi të mbyllur. Por ndjenja e rrezikut është përherë e pranishme.

Liljana e di se puna e saj është e rrezikshme, por për të, kjo nuk është thjesht një punë, por një mision.

Kur foli me agjencinë Associated Press, në shtëpinë e një djali të ri të ngujuar, ajo sapo kishte përfunduar orët e mësimit në matematikë, gjuhë dhe “Odisenë” e Homerit. Zonja Luani thotë se ajo është e lidhur emocionalisht dhe e ka shumë të vështirë kur sheh fëmijët që vuajnë.

“Unë jam mësuese dhe fjala mësuese nuk është profesion, është mision. Unë e dua jashtë mase profesionin tim. Jam tejet e lidhur me fëmijët. I dua fëmijët, e dua profesionin dhe sinqerisht nuk duroj dhe nuk kam zemër kur i shoh fëmijët duke vuajtur. Kjo është ajo që më bën mua që të shkoj derë më derë tek fëmijët që kanë problem me gjakmarrjen. Jetoj me vuajtjet e tyre, jetoj me dhimbjen e tyre, të familjarëve të tyre, dhe jam e përfshirë shumë edhe emocionalisht”.

Në këtë shtëpi e vjetër, një grua 40-vjeçare qëndron aty e ngujuar me tre bijtë e saj adoleshentë të moshave 14 deri në 19 vjeç. Ata përdorin një oborr të vogël për të rritur perime, dhe për të mbajtur pula dhe një lopë.

Fqinjët dhe të afërmit i ofruan ndihmë, ndërsa zonja Luani bindi kompaninë energjitike t’i siguronte energji me ulje çmimi.

Bashkëshorti i zonjës së shtëpisë është në burg për vrasje dhe familja nuk është mësuar me vizitorë. Gruaja qan shpesh, ndërsa dy djemtë më të mëdhenj shkojnë tek një dhomë tjetër, me sa duket nga zori që u vjen të pranojnë se ata nuk largohen kurrë nga shtëpia.

Zonja Luani i jep mësim djalit më të vogël, me shpresën se do ta ndihmojë atë t’i shpëtojë ciklit të dhunës.

Shumica e përpjekjeve, thotë ajo, përqëndrohet për t’i bindur nënat t’i mësojnë djemtë që mos të vazhdojnë me hakmarrje. Ajo i shoqëron ato në kurse ku gratë mësojnë rreth gatimit, higjienës dhe kujdesit personal.

Zakonisht vetëm burrat janë të detyruar të ngujohen ose të marrin hak. Por gjakmarrja, e cila nuk lejohej gjatë kohës së komunizmit, vazhdon të praktikohet në zonat e thella, ku sundimi i ligjit është i dobët.

Cikli i gjakmarrjes mund të fillojë për një sërë shkaqesh, duke përfshirë vrasje, vdekje aksidentale, mosmarrëveshje për pronat, ose edhe kur bëhet një akuzë e rëndë e rreme.

Gratë në përgjithësi nuk përfshihen, dhe kjo i lejon ato të dalin nga shtëpia. Por vrasjet për të marrë gjak jo gjithmonë ndjekin rregullat tradicionale dhe shpesh përfshijnë edhe gratë dhe të miturit.

“Unë kam pas një nxënës që e vranë para dy vjetësh. Ai ishte adoleshent.”

Zonja Luani thotë se ajo e kujton me trishtim djalin e ri i cili këmbëngulte të shkonte në shkollën dhe u vra në një pritë.

“Ishte me balluke të bardha, me sy bojëqielli. Edhe unë, kur bënte shumë sherre në shkollë, më pëlqente që ta dënoja (në thonjëza). Edhe i futsha dorët me i prish flokët për me e dënu kur bënte sherre. Dhe më thonte, ‘mësuese, më bëj ç’të duash por mos m’i prish flokët’. Shumë shpejt ia prishi plumbi. Kurrë nuk do ta harroj atë fëmij, kurrë nuk do ta harroj. Zëri i tij sikur më buçet në vesh, si qeshte nëpër korridore të shkollës kur unë i prishja flokët dhe përpiqej vrap e vrap me i rregullu në korridor. Kurrë nuk do ta harroj. Gjaakmarrja nuk ia kurseu jetën atij”.

Për këtë arsye, ajo nuk jep hollësi mbi viktimat që ajo viziton sepse ka frikë se mos ata identifikohen.

Zakonisht ajo përfundon mësimdhënien, gatuan për familjen e saj, dhe pastaj udhëton për një orë për në fshatrat në “Bjeshkët e Nëmuna”.

“Unë mendoj se edukimi arsimor dhe psikosocial i këtij brezi që po rrezikon të mbetet i pashkolluar është një luftë mjaft e mirë dhe mjaft e fortë kundër fenomenit të gjakmarrjes. Kështu e mendoj unë. Mendoj se njerëzit e edukuar dhe të arsimuar ashtu siç duhet, nuk bie pre e fenomenit të gjakmarrjes. Nuk bien aq kollaj pre,” tha zonja Luani.

Grupe të shoqërisë civile vlerësojnë se disa mijë njerëz, duke përfshirë edhe fëmijë të vegjël, jetojnë të ngujuar për shkak të gjakmarrjeve.

XS
SM
MD
LG