Lidhje

Kryebashkiaku i Nju Jorkut kërkon fuqizimin e ligjit të kontrollit të armëve

  • Adam Filips

Kryebashkiaku i Nju Jorkut kërkon fuqizimin e ligjit të kontrollit të armëve

Kryebashkiaku i Nju Jorkut kërkon fuqizimin e ligjit të kontrollit të armëve

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, përsëriti thirrjet për fuqizimin e ligjit të kontrollit të armëve, përfshi edhe kontrollet biografike të njerëzve që blejnë armë zjarri. Krahas me zotin Blumberg ishin familjarët e viktimave të tragjedisë në Arizona, si dhe aktivistë për kontrollin e armëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Adam Filips ndoqi konferencën e shtypit në Nju Jork:

Familjarë dhe miq të viktimave të sulmit me armë në Arizona u mblodhën në qendrën e Nju Jorkut, për të shprehur mbështetjen e tyre për kryetarin e Bashkisë Majkëll Blumberg, i cili kërkoi më tepër fonde qeveritare, masa më të rrepta sigurie, si dhe fuqizimin e ligjeve federale, që kërkojnë kontrolle të hollësishme për cilindo që përpiqet të blejë armë.

Djalin ma vranë më 14 shtator në Harlem…

Familjarë të viktimave të vrasjeve me armë zjarri tregojnë historitë e tyre…

Zoti Blomberg tha se çdo ditë vriten me armë 34 amerikanë. Ligji i parë i rëndësishëm për kontrollin e armëve në SHBA u miratua në vitin 1968, pas vrasjes së udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luter King dhe Senatorit amerikan Robert Kenedi.

Në vitin 1993, Presidenti Bill Clinton nënshkroi në ligj të ashtuquajturin Brady Bill, i cili kërkon kontrolle të hollësishme të sjelljes së personave që duan të blejnë armë. Por kritikët thonë se ligji nuk është zbatuar siç duhet.

Kryetarët e Bashkive kundër Armëve të Paligjshme, një koalicion për të cilin zoti Blumberg dha ndihmën që të krijohej, citon si shembull faktin se 10 shtete nuk kanë dorëzuar të dhënat për sëmundjet mendore në sistemin kombëtar të shëndetësisë. Ata thonë se kontrolli për historinë e sjelljes së personave në shfaqjet me armë mund të shmanget me lehtësi.

Zoti Blumberg pranon se dhuna me armë zjarri mund të duket si diçka jo reale, kur nuk e njeh atë nga afër.

Nuk më është dukur diçka reale, deri në momentin kur m’u desh të shkoj në spital dhe t’u them prindërve se djali, apo vajza e tyre nuk do të shkonte më kurrë në shtëpi. Dhe asnjë prej nesh, nuk mund ta kuptojë se çdo të thotë kjo, pa qenë pjesëtar i familjes së viktimës, apo pa patur lidhje të afërta me të.

Kryetari i Bashkisë mbështet mbajtjen e armëve për gjueti, për praktikë dhe aktivitete sportive. Por ai nuk është dakord me personat që pretendojnë se masat për kontrollin e armëve nuk janë kushtetuese.

Asnjë person me arsye të shëndoshë nuk do të miratonte shiten e armë të reklamuara si të afta për të rrëzuar një avion. Askush nuk mendon se duhet të shiten plumba që depërtojnë jelekët antiplumb. Për këto sende nuk ke nevojë kur shkon për gjueti. Askush nuk mendon se duhet t’u shiten armë personave që përdorin drogë, atyre me të meta mendore, të rinjve jo në moshë madhore dhe njerzit me të kaluar kriminale. Edhe ligjet e shkruara në libra thonë se kjo nuk duhet bërë. Por Kongresi nuk ka dashur ta bëjë këtë. Washingtoni duhet të veprojë dhe ne i bëjmë thirrje presidentit ta udhëheqë këtë çështje, ashtu sikurse bëri presidenti Johnson.

Jo të gjithë pjesëmarrësit në takimin e Nju Jorkut u fokusuan tek problemi i dhunës me armë. Martin Luther King i Tretë, djali i udhëheqësit të vrarë të të drejtave civile, tha se dhuna në industrinë amerikane të zbavitjes luan rol në shtimin e dhunës në jetën e përditshme. Ai citoi një studim, i cili tregonte se 6 në 10 filma vizatimorë kanë përmbajtje me dhunë, ndërsa tek lojërat elektronike ky raport është 7 me 10.

Dhe ne nuk e kuptojmë përse shoqëria jonë është e dhunshme. Pa patur vetëkontroll, nuk do të mund ta zgjidhim këtë çështje në vendin që të gjithë e duam kaq shumë. Por ne mund të kemi një kulturë pa dhunë. Babai im do të thonte, kjo kohë ka ardhur tani.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Blumberg dhe folësit e tjerë në konferencën e shtypit në Nju Jork thanë se tani është koha për të marrë masa për kontrollin e armëve, në kushtet kur njerëzit e kanë ende të freskët tragjedinë në Tusan të Arizonës, ku u vranë 6 persona dhe u plagosën 13 të tjerë.

XS
SM
MD
LG