Lidhje

Tiranë: Polemika mbi dekriminalizimin e institucioneve


Dorëheqja e kryetarit të bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, pas gjetjes së disa të dhënave kriminale nga policia italiane thelloi polemikat në radhët e deputetëve socialistë lidhur me dekriminalizimin e institucioneve.

Opozita po bojkoton parlamentin gjatë dhjetë ditëve të parjashtimit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ndërsa deputeti socialist Ben Blushi, kërkoi nga PS që të distancohet nga njerëz të tillë dhe jo të zhvillojë tubime në mbrojtje të tyre. “Italia e ndëshkoi atë individ, ndërsa Shqipëria e zgjedh bashkiak, duke degraduar rëndë politikën dhe administratën. Ja pse nuk jemi në BE” - tha ai.

Bashkiaku socialist i Kavajës Elvis Rroshi, i cili fitoi mandatin në dy palë zgjedhje radhas njoftoi dorëheqjen pasi ishte dënuar në Itali.

Ai tha se nuk ka qenë ndonjëherë në gjyq e as ka bërë ndonjë ditë burg për këtë dënim të dhënë nga një gjykatë.

Deputeti Blushi, i cili pak ditë më parë denoncoi një kërcënim përmes telefonit që mori nga bashkiaku i Kavajës Rroshi, tha se ishte i shqetësuar për faktin se kryetari i PS- dhe kryeministri Rama u bë shok me të dhe e zgjodh në krye të bashkisë dy herë rresht, ashtu si edhe të paktën 10 për qind bashkiakë të tjerë.

Zoti Rroshi ishte akuzuar me kohë në fjalime publike nga opozita për të kaluarën e tij, deri sa u publikua edhe formulari i dekriminalizimit.

Prokuroria njoftoi se do të bënte verifikimin e formularit të dekriminalizimit të Rroshit për të dhëna të pasakta për emrin dhe ngjarje të ndodhura në Gjermani para vitit 2002 kur ndërroi edhe emrin.

PD tha se Rroshi ka fshehur të dhënat edhe për një dënim për trafik droge dhe në Zvicër.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk ka mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për poste apo për të mbajtur detyra publike.

XS
SM
MD
LG