Lidhje

Debatet në Tiranë për krizën dhe rritjen ekonomike


Sipas Partisë Socialiste, përgjegjësia duhet kërkuar tek gabimet e qeverisë dhe jo tek kriza globale.

Në Tiranë qeveria bëri të ditur se ekonomia u rrit me 2 për qind gjatë vitit të kaluar. Ministri i financave Ridvan Bode tha se nuk është koha për reforma sociale dhe fiskale, por duhen menaxhuar presionet e jashtme mbi ekonominë. Por opozita deklaroi se gjengja ekonomike është përkeqësuar dhe investimet kanë rënë. Sipas Partisë Socialiste, përgjegjësia duhet kërkuar tek gabimet e qeverisë dhe jo tek kriza globale.

Diskutimet ekonomike po zënë vend kryesor në debatet partiake. Qeveria shqiptare tha sot se vitin e kaluar ekonomia shqiptare u rrit rreth 2 për qind ndërsa gjatë 2013 pritet të rritet rreth 4 për qind. Ministri i financave Ridvan Bode, deklaroi se në kushtet aktuale qeveria po ndërmerr masa për ringjalljen e ekonomisë, duke ndjekur politika pro-biznes dhe duke ulur shpenzimet qeveritare, ndonëse presionet e jashtmë janë për një ndrydhje të mëtejshme.

Zoti Bode tha se nuk është koha për reforma në fushat sociale dhe fiskale, por duhet mbështetur ekonomia, sepse gjithë rajoni është në krizë, pa përmendur luhatjet e Italisë dhe ndikimet nga Eurozona.

Ndërsa Ilir Beqja sekretar për programin e Partisë Socialiste, ekonomia shqiptare është në një situatë mjaft kritike; modeli ekonomik dhe politikat ekonomike të qeverisë ka dështuar. Zoti Beqja tha se papunësia është rritur, konsumi dhe tregtia ka rënë ndjeshëm, privatizimet nuk kanë sjellë mirëqenie.

PS mendon të ulë dhe të heqë një seri taksash për të mbështetur biznesin e vogël dhe t’i japë frymëmarrje ekonomisë në qytet dhe në fshat, duke mënjanuar paradokset se vendi ka naftë, por e blen nga jashtë, ka hidrocentrale por blen energji nga jashtë, ka bujqësi por i blen frutat nga jashtë.

Qeveria po bashkëpunon me bankat për zhvillim dhe institucione donatore për të marrë kredi afatgjata me norma të ulëta interesi për të ulur pjesën e financimit të investimeve me burime të brendshme. Ndërkohë po shikohen edhe mundësitë për kredi në mbështetje të buxhetit nga partnerët ndërkombëtarë, gjë që do të rritë fuqinë kredituese tek sektori privat.
XS
SM
MD
LG