Lidhje

Dorëzohen 24 trupa të zbuluar në Rashkë të Serbisë


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë ka bërë të ditur se ka pranuar sot 24 trupa nga autoritetet e Serbisë të zhvarrosura gjatë gërmimeve të fundit në një varrezë masive në Serbi.
Ky është dorëzimi i dytë i trupave, numri i të cilave ka arritur në dyzet dhe që i përkasin varrezës masive në fshatin Rudnicë të komunës së Rashkës në Serbinë jugperëndimore, jo fort larg kufirit me Kosovën.
Në një njoftim të misionit të Eulex-it thuhet se “trupat do të dërgohen në qendrën e Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do të kryhet procesi i identifikimit. Pas përfundimit të këtij procesi, trupat do t’u dorëzohen familjeve me ndihmën e Komisionit për Personat e Pagjetur të Kosovës”.
Gërmimet në fshatin Rudnicë të Serbisë filluan në dhjetor të vitit 2013 dhe deri në fund të muajit qershor aty janë gjetur 45 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.
Në Rudnicë edhe më herët ishin bërë gërmime, por pa rezultate duke u bazuar në pohimet e autoriteteve serbe të drejtësisë të cilët tre vjet më parë thanë se mund të kenë zbuluar një varrezë masive ku besohet se mund të jenë trupat e 250 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së viteve 1998 - 1999 në Kosovë.
Edhe 15 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë mbetet i panjohur fati i mbi 1 mijë e 700 personave, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.
XS
SM
MD
LG