Lidhje

Tiranë: Opozita kushtëzon parlamentin me dekriminalizimin


Partia Demokratike e opozitës i kërkoi sot parlamentit të zbatojë ligjin e dekriminalizimit. Grupi parlamentar i saj kërkoi që aktet nënligjore për të vënë menjëherë në veprim Ligjin për Dekriminalizimin të miratohen seancën e radhës nga parlamenti të enjten.

“Edi Rama po dëshmon çdo ditë mungesë vullneti për zbatimin e dekriminalizimit dhe përkrahje të hapur për të inkriminuarit e tij në parti dhe në poste publike, Partia Demokratike do të kushtëzojë çdo funksionim normal të parlamentit me miratimin këtë të enjte të vendimit që vë në zbatim ligjin e Dekriminalizimit” - thuhet në deklaratën e partisë më të madhe të opozitës.

Opozita deklaroi se kryeministri Rama vazhdon të mbajë pushtetin me deputetë e zyrtarë si Arben Ndoka, Artur Bushi, Elvis Roshi, e së fundi ktheu në parlament Armando Prengën, i cili shtiu me armë zjarri brenda një komisariati policie kundër qytetarëve.

Për këtë arsye, deputetët e opozitës nuk morën sot pjesë në disa komisione parlamentare dhe këto veprime mund të sjellin, sipas reporterëve vendas, një bojkot të ri të parlamentit nga opozita. Grupi i deputetëve i Partisë Demokratike zhvilluan një mbledhje me dyer të mbyllura për hapat e mëtejshëm politikë.

Qeveria dhe shumica kanë shprehur gadishmërinë për ligjin e dekriminalizimit. Një vit më parë socialistët dhe opozita aritën një marrëveshje për të hartuar ligje dhe ake të tjera për të ndaluar përfshirjen në institucione të personave me rekorde kriminale. Deri tani ende nuk është hedhur ndonjë hap konkret për largimin e tyre nga salla e parlamentit dhe zyrat shtetërore.

XS
SM
MD
LG