Lidhje

Kush është udhëheqësi i grupit Boko Haram?

  • Anne Look

Rrëmbimi i rreth 300 vajzave nga një shkollë tetëvjeçare në Nigerinë juglindore vuri në qendër të vëmendjes ndërkombëtare udhëheqësin militant të sektit islamik Boko Haram. Anne Look e Zërit të Amerikës na njeh në vazhdim me Abubakar Shekau-n, personin që e transformoi sektin në një ushtri xhihadiste, të aftë për të kryer sulme përherë e më brutale.

Ai është portretizuar si një burrë i çmendur, i etur për gjak dhe si një udhëheqës tepër i zgjuar, i cili nuk e njeh frikën. Kështu përshkruan ai veten. Ekspertët thonë se mundet që ato që ai thotë të jenë të vërteta. Ja si shprehet ai, duke marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj barrakave të ushtrisë në muajin mars në Maiduguri.

"Tani do të më kuptoni me të vërtetë. Nuk e njihni çmendurinë time, apo jo? Tani do ta shikoni atë. Me ndihmën e Allahut, do t'ju masakroj."

…Dhe ja çfarë tha ai në një video, ku merrte përgjegjësinë për rrëmbimin e rreth 300 vajzave të shkollës më 14 prill.

"Mendoni se do ta ndaloj punën e Allahut? Unë nuk jam i çmendur. Ju jeni të tillë. Unë e njoh mirë fenë time, nuk jam analfabet… Edhe po të më vrisni, do të ngrihen luftëtarë të tjerë, edhe më të fortë se unë. Unë nuk jam asgjë dhe nuk kam vlerë para Zotit, për të cilin punoj. Ky është islami, të cilin ju nuk e njihni."

Në video ai qesh dhe zotohet se do t'i shesë vajzat si skllave. Mënyra e tij të folurit duke buzëqeshur dhe me nervozitet i ka bërë njerëzit ta quajnë manjak. Pjesa më e madhe fjalimit të tij të ashpër prej 56-minutash, të cilin ai e lexon nga letrat që mban në duar, përmban kërcënime dhe ideologji. Është një sistem besimi që Shekau e ka predikuar që para se t'i këmbente rrobat e tij tradicionale me uniformën ushtarke.

Ai e konsideron democracinë një formë paganizmi dhe e sheh edukimin perëndimor si një komplot që synon të korruptojë dhe shkatërrojë islamin.

Boko Haram u krijua në vitin 2002 në Nigerinë verilindore. Sekti filloi ta ushtronte veprimtarinë në fshehtësi në vitin 2009, pas masave shtypëse të policisë dhe vrasjes së themeluesit Mohammed Yusuf. Shekau, zëvendësi i Yusufit mori atëherë drejtimin e organizatës.

Para se të bëhej kryetar i grupit, Shekau kishte marrë vetë famë, si studiues me shkollë i islamit, përfaqësues i vijës së ashpër dhe një predikues bindës.

Një video e asaj kohe e paraqet Abubakar Shekaun si predikues, të veshur me të bardha, duke dhënë një predikim. Nga pikëpamja ideologjike, përmbajtja e atyre që ai thotë në atë kohë është po aq misterioze sa edhe ajo e videove që ai i dërgon botës tani, ndërsa qëndron i fshehur. Në fund ai thotë "ky udhëtim që kemi ndërmarrë është vullneti i zotit".

Shekau i përjashton negociatat si një mundësi dhe thotë se pasuesit e tij duhet të krijojnë shtetin e tyre islamik.

Ai komandon një ushtri, për të cilën ekspertët thonë se përbëhet nga qindra luftëtarë të armatosur rëndë. Shekaun e kanë deklaruar të vdekur të paktën dy herë, por ai është rishfaqur.

Nën drejtimin e tij, grupi i ka zgjeruar lidhjet ndërkombëtare dhe ka kryer sulme në Nigeri: vrasje si dhe sulme vetëvrasëse me makinë bombë. Në këto sulme viktimat kanë qenë të besimeve të ndryshme: myslimanë e të krishterë, civilë dhe ushtarë. Mijëra vetë janë vrarë në këto sulme, të cilat janë shtuar dhe janë bërë gjithmë e më mizore.

Zëri i Amerikës pa një video të kohëve të fundit të grupit Boko Haram, ku shihen militantë të grupit, duke i prerë kokat njerëzve, që duken të jenë ushtarë nigerianë të marrë peng. Në videon e tij më të fundit, Shekau përmend skllavërim dhe prerje të kokave të të pafeve, për të cilët ai thotë se janë pa vlerë dhe përfshijnë të gjithë ata që janë kundër tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG