Lidhje

Bolivia për strehimin e Snowdenit


Presidenti bolivian Evo Morales thotë do t'i jepte strehim ish-kontraktorit amerikan të zbulimit, Edward Snowden nëqoftëse ai e kërkon atë.

Z. Morales u bë sot udhëheqësi i tretë majtist në Amerikën Latine që ofron strehim për Snowdenin. Një ditë më parë strehim ofruan edhe presidenti Nicolas Maduro i Venezuelës dhe Daniel Ortega i Nikaraguas.

Në një deklaratë, zoti Morales tha se Bolivia nuk ka "frikë nga SHBA" dhe nga aleatët e tyre evropianë, dhe se ai do t'i "jepte strehim amerikanit nëse ky e kërkon atë."

30-vjeçari Snowden, i cili nxorri sekretet e programeve të përgjimit të Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare, besohet se ndodhet prej dy javësh në zonën e tranzitit të aeroportit të Moskës, ku arriti me avion nga Hong Kongu. Por është e paqartë se si do të mund të udhëtonte ai në ndonjërin nga vendet e Amerikës Latine.

Snowden aktualisht nuk është në gjendje të largohet nga Rusia. Ai nuk ka dokumente udhëtimi, pasi SHBA ia kanë anuluar pasaportën. Autoritetet amerikane kërkojnë që ai të ekstradohet në SHBA për të dalë në gjyq i akuzuar për spiunazh, por Presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar, edhe pse thotë se ai dëshiron që Snowden të shkojë në një vend tjetër.

Snowden ka kërkuar azil në më shumë se 20 vende. Por shumica e tyre ose e kanë refuzuar ose kanë thënë se ai duhet të ndodhet fizikisht në territorin e tyre për të bërë kërkesën.
XS
SM
MD
LG