Lidhje

Uashingtoni dhe qytete të tjera në mëshirën e borës


Big Snowstorm

Big Snowstorm

Banorët e bregut lindor të SHBA po përgatiten për të përballuar një stuhi të madhe bore që pritet të fillojë sonte dhe të vazhdojë deri të dielën në mëngjes.

Dëbora e madhe parashikohet të prekë të paktën 15 shtete, dhe të ketë përmasa historike në Uashington, Baltimorë dhe Nju Jork. Shërbimi sinoptik parashikon 30 deri 90 centimetra dëborë.

Banorët janë paralajmëruar gjithashtu për erëra të forta, ngrica dhe përmbytje në zonat bregdetare. Shqetësime ka sidomos në qytetet e mëdha, ku edhe një sasi e vogël bore mund të shkaktojë kaos.

Rrugët kryesore janë trajtuar me solucion kripe, ndërsa banorët po nxitojnë për të blerë ushqime në prag të stuhisë. Në dyqane është bërë e vështirë të gjesh kripë për rrugët dhe lopata bore.

"Malli që ka lëvizur më shumë kanë qenë lopatat. Na janë mbaruar thuajse të gjitha, kanë mbetur vetëm tre ose katër," thotë Derek Station në Virginia.

Drejtuesit e qyteteve po marrin masa për të mos u kapur në befasi dhe po i këshillojnë banorët të bëjnë të njëjtën gjë.

"Tregohuni të arsyeshëm, qëndroni në shtëpi të shtunën edhe nëse duhet të udhëtoni për diku. Hiqini makinat nga rruga sepse kjo ua bën më të lehtë mjeteve që pastrojnë borën. Nëse në rrugë ka makina të parkuara kjo na pengon t’i pastrojmë,” thotë Anthony Santino i qytetit Hempstead të Nju Jorkut.

Disa qytete dhe shtete kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke filluar që nga premtja në mbrëmje.

"Përparësia kryesore është siguria e njerëzve,” thotë guvernatori i Merilendit.

Banorët e kryeqytetit janë sidomos të preokupuar, sepse Uashingtoni paralizohet qoftë edhe me pak mot të keq. Mbrëmjen e së mërkurës ra vetëm 5 centimetra borë dhe kjo mjaftoi për të bllokuar shumë makina në rrugët kryesore. Madje kishte njerëz që i braktisën mjetet në anë të rrugës.

Disa banorëve të periferive iu deshën orë të tëra për të arritur në shtëpi. Rrugët ishin të rrëshqitshme dhe kjo u bë shkak për shumë aksidente, duke e detyruar kryebashkiaken Muriel Bowser të kërkonte ndjesë.

Në Uashington, transporti publik do të jetë i mbyllur gjatë stuhisë së dëborës, madje edhe pasi rrugët kryesore të jenë pastruar, dhe trafiku do të jetë i vështirë për një farë kohe.

XS
SM
MD
LG