Lidhje

Bordoja përballë së tashmes dhe së shkuarës


Qyteti Bordo në jugperëndim të Francës, është i njohur si kryeqyteti botëror i verës, por ka patur një të kaluar të errët, si porti i dytë më i madh i Francës nga ku bëhej tregtia e skllevërve. Ndryshe nga disa qendra të tjera të njohura për tregtinë e skllevërve, atje nuk ekziston një memorial i madh, për ta shënuar këtë histori të pakëndshme të qytetit dhe zyrtarët e konsiderojnë atë si shumë të kushtueshme. Por ndërsa shtohet shqetësimi për rastet e racizmit dhe të ksenofobisë në mbarë Europën, një njeri ka marrë përsipër misionin për të hedhur më shumë dritë tek e kaluara.

Është një destinacion i preferuar për anijet e pasagjerëve dhe specialistët e verës. Por Karfa Diallo ka më shumë interes për një tjetër aspekt të Bordosë, si një prej qendrave më të mëdha të tregtisë së skllevërve.

Nga shekulli i 17, deri tek i 19-i, ky qytet dërgonte anije që transportuan deri në 130 mijë skllevër nga Afrika drejt Amerikës. Ato ktheheshin me ngarkesa pambuku, cigaresh, sheqeri dhe rumi.

Qyteti e ka vënë pasurinë e tij pjesërisht me tregtinë e skllevërve.

“Këtu ndodhemi tek Sheshi i Bursës, një prej më të bukurve në Francë. Bordoja ishte më e pasur se sa vetë mbretëria e Francës" thotë Karfa Diallo.

Diallo, emigrant nga Senegali, është kryetar i një shoqate për të rritur ndërgjegjësimin për ekzistencën e skllavërisë, si dhe ofron vizita tek qendrat e tregtisë së skllevërve në Bordo, me të cilën ai beson se qyteti nuk pajtohet.

“Imazhi i verës është shumë i vështirë të pajtohet me atë të skllavërisë. Kjo është arsyeja përse qyteti u tregua shumë i vonuar për t’i dhënë historisë vendin që meriton.”

Shenjat e pakta të së kaluarës këtu është e vështirë të dallohen.

Diallo thotë se në Bordo ka më tepër se 12 rrugë me emrin e tregtarëve më të njohur të skllevërve.

“Unë e di këtë sepse e kemi mësuar në shkollë, në lëndën e historisë. Por nuk di më shumë,”- thotë Alexandre, një student.

Zyrtarët e qytetit janë dakord se duhet bërë më shumë, në një kohë kur në Francë është fuqizuar e djathta e ekstreme kundër imigracionit.

"Duhet të luftojmë për të mbrojtur të drejtat themelore dhe barazinë e qytetarëve. Por kjo nuk ka lidhje me të ndjerit fajtor dhe me pendesën. Qytetarët e Bordosë nuk mbajnë përgjegjësi për ato që kanë bërë të parët e tyre,”- thotë Marik Fetouh, nënkryetari i bashkisë.

Diallo mendon se dija është përgjigja më e mirë për t’iu kundërvënë racizimit të sotëm dhe të kaluar. Sa më të shumta janë njohuritë, aq më e vogël është urrejtja.

XS
SM
MD
LG