Lidhje

Identifikimi i trupave të imigrantëve meksikanë


Vetëm në Teksasin jugor, zyrtarët vendas kanë gjetur qindra trupa të paidentifikuar dhe i kanë varrosur në varre të përbashkëta në varrezat vendase. Në përpjekje për të ndihmuar familjet të marrin vesh se ç’u ka ndodhur njerëzve të tyre të dashur, një antropologe dhe studentët e saj në Universitetin Baylor kanë zhvarrosur trupa duke u përpjekur të gjejnë të dhëna për identifikimin e tyre.

Profesorja e antropologjisë, Lori Baker, dhe studentët e saj nga Universiteti Baylor të qytetit Waco në Teksas, janë duke ekzaminuar këto eshtra në përpjekje për të zbuluar se çfarë i ka ndodhur viktimës.

“Këtu ka tregues dëmtimi nga shpendë grabitqarë.”

Zonja Baker thotë se ka pak të dhëna për arsyet e vdekjes.

“Janë disa shenja traumash që i shqyrtojmë, por në përgjithësi, shumica e individëve kanë vdekur nga rraskapitja prej vapës.”

Ajo thotë se trafikantë pa skrupuj shpesh i braktisin emigrantët në zona rurale shumë pak të banuara, ku nuk ka ujë dhe strehë.

“Kështu që ka ndoshta shumë më tepër individë që kanë vdekur dhe nuk janë gjetur dot.”

Zonja Baker thotë se i vjen në mendje familja e saj kur dëgjon për familje në Meksikë ose në Amerikën Qendrore që kanë kërkuar me dekada të tëra për njerëzit e tyre të dashur.

“Unë vetë vij nga një familje e cila nëse do t’i duhej të më gjente mua në një vend të huaj, burimet dhe aftësitë do t’i kishte shumë të kufizuara.”

Në vitin 2002, pasi ndihmoi grupet e të drejtave të njeriut në disa vende për të identifikuar trupat e gjendur në varre masive, ajo filloi të punonte përgjatë kufirit SHBA-Meksikë së bashku me studentë vullnetarë, si Jennifer Husak, e cila përjetoi momentin më të vështirë kur ekzaminoi eshtrat e një foshnjeje.

“Ishte tepër e vështirë për mua të mendoja për një nënë që nuk do të jetë në gjendje të shohë fëmijën e saj të rritet. Ishte shumë e vështirë.”

Sidoqoftë, ajo thotë se e ruajti përqëndrimin tek gjetja e provave tek skeletët, si p.sh. vija frakturash nga plagosje.

“Mund të jenë shumë të imta, por ne mundemi t’i shikojmë. Pra, kërkojmë për gjëra të tilla që ndihmojnë për të bërë një identifikim.”

Lori Baker dhe vullnetarët e saj kanë punuar me më shumë se 170 trupa të gjendur në zonën e kufirit jugor të Teksasit, dhe kanë identifikuar tre prej tyre.

Ajo ka kërkuar të përdorë Bazën e të Dhënave të Personave të Zhdukur të Meksikës, e cila përmban rreth 400 kampione ADN-je që mund të krahasoheshin me mostrat e marra nga trupat në Teksas.

Zonja Baker thotë se përkushtimi i saj është për të zbuluar qenien njerëzore që la këto eshtra pas.

“Shpresoj që nëpërmjet punës që bëjmë mund të rikthejmë pak nga dinjiteti njerëzor duke u vënë të paktën një emër.”

Synimi përfundimtar për Lori Baker është të rikthejë eshtrat e identifikuara tek familjarët, të cilët siç thotë ajo, do të kenë kështu të paktën një varr ku mund të luten dhe të vendosin lule.

XS
SM
MD
LG