Lidhje

Senati voton pro debatit mbi ligjin e propozuar nga Presidenti Obama

  • Michael Bowman

Senati në SHBA ka votuar për fillimin e një debati mbi ligjin që do të autorizonte fonde për strehimin dhe fillimin e shqyrtimit të çështjeve për dhjetra mijëra fëmijë pa dokumente nga Amerika Qendrore, të cilët vijnë nga kufiri jugor i Shteteve të Bashkuara me Meksikën. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, ligji që ndeshet me pengesa të tjera në Dhomën e kontrolluar nga demokratët, duket se nuk ka shanse të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët, dhe zor se do të mund të merret një vendim para se ligjvënësit të largohen për një periudhë 5-javore.

Ligji do të siguronte shumicën e shumës prej $3.7 miliardë dollarësh të kërkuar nga Presidenti Barack Obama, për trajtimin e nevojave humanitare, juridike dhe zbatimit të ligjit përgjatë kufirit mes SHBA dhe Meksikës.

Senatori demokrat Richard Durbin tha se fondet nevojiten urgjentisht, ndërsa fëmijët nga Amerika Qendrore vazhdojnë një udhëtim të rrezikshëm drejt Shteteve të Bashkuara:

"Presidenti Obama ka kërkuar burime financiare për t'u kujdesur për këta fëmijë, për t'i sistemuar ata dhe për t'u dhënë të drejtën të kërkojnë strehim, në se mund ta bëjnë këtë kërkesë ligjore dhe në se jo, të kthehen në mënyrë njerëzore, në vendet prej nga kanë ardhur."

Ligji po ashtu do të siguronte fonde shtesë për sistemin e mbrojtes nga raketat për Izraelin, si dhe do të shtonte burimet federale për të luftuar me zjarret që kanë prekur disa shtete perëndimore të Amerikës.

Ligji i Senatit është shumë i ndryshëm nga një ligj i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili do të mundësonte vetëm një fragment të fondit, shumica e të cilit do të përdorej për të forcuar sigurinë në kufirin amerikan. Po ashtu, propozimi i Dhomës së Përfaqësuesve do t'i bënte ndryshime një ligji të vitit 2008, që i lejon shumicës së imigrantëve nën moshën madhore të kenë të drejtën e një seance për imigracionin.

Senatori Republican John Cornyn thotë se ligji i Senatit ka shërbyer si magnet për fëmijët nga Amerika Qendrore dhe se ai nuk bën asgjë për trajtimin e shkakut të vërtetë të krizës:

"Për sa kohë që të vazhdojë të ekzistojë ky magnet, ata do të vazhdojnë të vijnë në SHBA. Lejimi i ekzistencës së tij shtegu, nuk ka të bëjë aspak me dhemshurinë, përkundrazi."

Demokratët e kundërshtojnë këtë logjikë, duke thënë se imigrantët nga Amerika Qendrore largohen nga vendi i tyre për t'i shpëtuar dhunës dhe mungesës së ligjit në vendet e tyre.

Miratimi përfundimtar i ligjeve të Senatit, apo Dhomës së Përfaqësuesve zor se do të mund të realizohet, por edhe në se kjo ndodh, të dy ligjet ka gjasa që të mos votohen në të dy Dhomat e Kongresit, ku në secilën prej tyre njëra nga partitë ka shumicën.

Kjo ngecje e krijuar evidenton përsëri sfidën për të vepruar të një Kongresi të ndarë në vijat partiake edhe përballë një situate, të cilën të gjithë ligjvënësit e kritikojnë si të padurueshme.

XS
SM
MD
LG