Lidhje

Borxhi evropian, edhe sot temë e diskutimit në Uashington


Ministrat e financave nga 20 ekonomitë më të mëdha të botës po zhvillojnë sot një ditë të dytë bisedimesh në Uashington. Tema kryesore e diskutimeve është çështja e borxhit evropian.

Fondi Monetar Ndërkombëtar po kërkon 400 miliard dollarë të tjera nga vendet anëtare gjë që do ta shtonte aftësinë e tij për të mbrojtur ekonominë botërore nga kriza e borxhit të eurozonës. Deri tani, FMN-ja ka krijuar një fond prej 320 miliard dollarësh për këtë qëllim dhe ministri japonez i financave Jun Azumi u tha gazetarëve se ka shumë mundësi që objektivi të arrihet.

Drejtorja Menaxhuese e FMN-së, Christine Lagarde i afirmoi komentet e zotit Azumi dhe tha se në ditët e ardhëshme pret premtime të reja nga 188 anëtarët e fondit.

“Si pjesë e rezultatit të këtij takimi, ne presim që fuqia jonë të rritet ndjeshëm”, tha zonja Lagarde

Por deri tani nuk ka patur premtime për kontribute nga aksioneri më i madh i Fondit Monetar, Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni ka hequr mënjanë 171 miliard dollarë në formë kredish që mund t’i japë FMN-së, por ai ende nuk ka ratifikuar një angazhim të vitit 2010 për të rritur financimin me 60 miliard dollarë dhe kjo nuk duket se do të jetë e mundur në një vit zgjedhjesh presidenciale.

Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner thotë se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë ngurruar t’i mbështesin partnerët e tyre tregtarë në Evropë:

“Është gabim të thuash se Shtetet e Bashkuara po qëndrojnë mënjanë. Siç e dini, ne kemi luajtur një rol qëndror në këtë përpjekje botëtore për të ndihmuar dhe ne po e bëjmë këtë në aspekte që janë më të efektshme për nevojat e Evropës”.

Zonja Lagarde tha nga ana e saj se Shtetet e Bashkuara kanë filluar ta marrin veten nga recesioni global, por paralajmëroi për kërcënime të reja ndaj ekonomisë globale, të cilat mund ta sprapsin rimëkëmbjen ekonomike amerikane.

“Nëse do të përdorja analogjinë e motit, ne po shikojmë një përmirësim të lehtë dhe një erë pranverore. Por po shikojmë edhe disa re shumë të errëta në horizont, që do të thotë kemi një farë rimëkëmbjeje të drojtur, një situatë të brishtë por ende me rreziqe të mëdha”.

Ajo tha se rreziqet përfshijnë papunësinë e lartë kudo në botë, strese të reja ekonomike në Evropë për vende të tjera me shumë borxhe si dhe rritje të ngadaltë ekonomike.

Blloku evropian prej 17 vendesh që përdor euron, ka premtuar 200 miliard dollarë fonde të reja. Japonia ka premtuar 60 miliardë. Zvicra, Norvegjia, Suedia, Polonia dhe Danimarka kanë thënë gjithashtu se do t’i japin Fondit Monetar Ndërkombëtar para të tjera për të mbështetur eurozonën.

XS
SM
MD
LG