Lidhje

Përpjekje për zgjidhjen e problemit të borxhit grek


Komisioni Evropian nuk është i kënaqur me propozimin e fundit të Greqisë për reforma duke thënë se ai "nuk pasqyron" diskutimet e mëhershme mes të Brukselit dhe Athinës. Kryeministri grek Alexis Tsipras thotë se qeveria e tij ka intensifikuar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për Greqinë. Ndërkohë, kanali televiziv shtetëror grek, ERT, sot rifilloi transmetimet pas një ndërprerje dy vjeçare për shkak të masave shtrënguese.

Një zyrtar gjerman tha se udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, dhe Greqisë kanë rënë dakord se Greqia duhet të "intensifikojë" përpjekjet për një marrëveshje të re për ndihmë financiare, por kjo nënkupton se përgjigja ndaj problemit të borxhit grek është ende e paqartë.

Kryeministri grek Alexis Tsipras u takua dje në Bruksel me Presidentin francez Francois Hollande dhe kancelaren gjermane Angela Merkel. Kancelarja Merkel nuk i dha rëndësi takimit duke thënë se Greqia duhet të negociojë me institucionet që përfaqësojnë kreditorët e jo me politikanët.

Zoti Tsipras thotë se kjo është duke ndodhur me një urgjencë më të madhe.

“Ne kemi vendosur të intensifikojmë përpjekjet për eliminimin e dallimeve dhe së shpejti të gjejmë një zgjidhje. Besoj se udhëheqja politike e Evropës do ta kuptojë se ne duhet t’i ofrojmë Greqisë një zgjidhje të mirë”.

Zoti Tsipras u takua sot me shefin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker për të diskutuar problemin e borxhit grek.

Ndërkohë në Greqi, kanali televiziv shtetëror, ERT, rifilloi transmetimet pas një ndërprerje dy vjeçare për shkak të masave shtrënguese. Mbyllja e tij u bë nga qeveria e mëparshme greke në përpjekje për të kursyer para.

Komisioni Evropian tha dje se nuk është i kënaqur me propozimin e fundit të Greqisë për reforma duke thënë se ai "nuk pasqyron" diskutimet e mëhershme mes të Brukselit dhe Athinës.

Ekonomisti evropian Azad Zangana i fondacionit Schroders ka frikë se zgjidhja e problemit të borxhit grek thjeshtë mund të shtyhet për më vonë.

“Zgjidhja ideale do të ishte propozimi i një pakete të re financiare dhe grekët të pranonin se ata duhet të zbatojnë reforma strukturore dhe fiskale së bashku me masat e privatizimit që janë premtuar në të kaluarën, por duket se përsëri do të kemi një zgjidhje të përkohshme të problemit”.

Greqia ka tre javë për të paguar detyrimet e saj financiare ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, para se pakoja financiare ndërkombëtare të skadojë në fund të qershorit.

XS
SM
MD
LG