Lidhje

Boshnjakët kujtojnë 20 vjetorin e fillimit të luftës


Suada Dilberoviç dhe Olga Suciç u qëlluan më 5 prill 1992 ndërkohë që merrnin pjesë në një protestë që bënte thirrje për zgjidhjen paqësore të çështjes së pavarësisë së Bosnjës nga Jugosllavia.

Këto vrasje shënuan fillimin e një konflikti të përgjakshëm që la të vdekur mbi 200 mijë persona dhe detyroi largmin e mbi 1,8 milion njerëzve nga shtëpitë e tyre.

Pas 20 vjetësh, një pllakë përkujtimore prej guri në urën e qytetit afër ndërtesës së parlamentit përkujton viktimat e para të pafajshme boshnjake.

Banorët e Sarajevës të cilët nderuan viktimat në urën Vrbanja shprehen indinjatën e tyre ndaj vrasjes së këtyre personave të pafajshëm.

“Ne nuk kemi një vend të bashkuar, për të cilin kishim shpresuar, ne nuk po jetojmë në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Mendoj se vdekja e këtyre personave nuk arriti asgjë”, thotë Azra Jukiç, e cila ishte dëshmitare e vrasjes së këtyre personave më 1992.

Mira Ragoje është dakord me këtë vlerësim:

“Mendoj se viktimat u vranë për asgjë. Asgjë nuk është arritur. Ky është mendimi im. Ndoshta dikush ka mendim tjetër, por unë kështu mendoj. Ata u vranë për asgjë. Gjithë ajo që ndodhi ishte për asgjë”.

Më 6 prill 1992, Bashkimi Evropian pranoi pavarësinë e Bosnjës dhe kjo datë shënon fillimin zyrtar të luftës.

Dy grupe etnike, myslimanët dhe kroatët, donin pavarësinë, ndërkohë që serbët donin të ishin pjesë e federatës jugosllave të dominuar nga serbët.

Kjo mosmarrëveshje u bë shkak për shpërthimin e luftës.

Mbi 11 mijë e 500 civilë u vranë në kryeqytetin e vendit, Sarajevë nga prilli i vitit 1992 deri në mars të vitit 1996, përfshirë 1 mijë e 600 fëmijë.

Lufta përfundoi në nëntor të vitit 1995 pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në Dejton të Ohajos.

Marrëveshja e ka ndarë vendin në Federatën Myslimano-Kroate dhe Republikën Serbe, të cilat kanë qeveri dhe parlamente të ndara por me institucione federale të përbashkëta.

Ekspertët e mjekësisë ligjore ende zbulojnë varreza masive, dëshmi e gjenocidit, kampeve të përqëndrimit dhe krimeve të luftës.

XS
SM
MD
LG