Lidhje

Karriera e pazakontë e minatoreve të Bosnjës


Në një zonë të largët në thellësi të Bosnjës, një grup i vogël grash punojnë në një minierë qymyrguri. Ato janë të fundit në një brez minatoresh, karriera e pazakontë e të cilave është një trashëgimi e të kaluarës komuniste të vendit.

Pa zbardhur ende dita, Sakibe Colic dhe Semsa Hadzo rregullojnë llambat në helmeta dhe kontrollojnë edhe një herë instrumentat e shpëtimit, para se të fillojnë punën në turnin e parë në minierën e qymyrit në Breza të Bosnjës.

Ato marrin ashensorin si kafaz për të shkuar 250 metra nën tokë, në thellësinë e errët të minierës pranë Sarajevës ku 10 gra punojnë bashkë me 500 kolegët e tyre meshkuj.

Ato janë brezi i fundit i grave që punojnë si minatore në Bosnje, një trashëgimi e komunizmit, kur barazia gjinore i përmbyste normat tradicionale të shoqërisë patriarkale për të mbushur fabrikat me krah pune. Në atë kohë Hadzo dhe Colic, që ishin adoleshente, u punësuan në minierën e Brezës.

Tani, tre vjet para se të mbushin 50 vjeç dhe të dalin në pension, ato reflektojnë për rolin e tyre si brezi i fundit dhe i vetëm i grave që punuan nën tokë.

“Gjithë familja ime punon në minierë, babai im punonte këtu, im shoq, vëllezërit, të gjithë ne punojmë në minierë, përfshirë disa kushërinj të largët, kështuqë askush nuk u habit me vendimin tim për të punuar këtu. Atyre që e shohin nga larg, u duket e frikshme por për ne është ndryshe”.

Menaxherët e minierës nuk marrin më femra në punë. Minatorët thonë se është një rregull i pashkruar. Shumë nga koleget e tyre më të reja punojnë në zyra mbi tokë, por Sekibja dhe Semsa preferojnë nëntokën.

Qymyri i nxjerrë nga miniera 105 vjeçare mund të marrë zjarr kur piqen disa kushte dhe puna e Sekibes është që të mos lejojë të ndodhë një gjë e tillë. Me paisjet e saj matëse ajo kontrollon tunelet nën tokë dhe mat rrymën e ajrit dhe temperaturën, si edhe sasinë e metanit në ajër.

Pothuajse gjithkush në qytezën e Brezës, pranë Sarajevës, ka një lidhje me minierën. Një nga vajzat e Sakibes është martuar me një minator dhe ajo shpesh takohet me dhëndrin në minierë. Semsa Hadzo ishte e para në familjen e saj që filloi të punonte në minierë.

“Kur fillova të punoj këtu në moshën 19 vjecare, ishte e vështirë. Nuk e kisha idenë sesi do të ishte miniera, por po të më duhej të zgjidhja sot, unë përsëri do të kisha zgjedhur minierën”.

Ajo kujton se si punoi në minierë edhe gjatë katër muajve të pare të shtatzanisë dhe sesi u kthye sapo përfundoi lejen e lindjes.

“Më duket vetja si në shtëpinë time në minierë. Nuk kam pasur kurrë frikë se mos shembej miniera dhe falë zotit nuk kam pasur asnjë aksident, asnjëherë nuk jam plagosur”.

Një koleg, minatori Suaz Alajmovic vlerëson guximin e këtyre grave.

“Shumë burra duhet t’i kenë zili këto gra për guximin e tyre. Mendoj se 90 për qind e burrave që punojnë mbi tokë nuk do të kishin guxim të shkonin nën tokë për të punuar si këto gra”.

Megjithatë aksidente ndodhin në minierën e Brezës. Rastet më tragjike në vitet 1970 dhe 1976 shkaktuan vdekjen e 70 vetëve dhe në maj të vitit të kaluar një minator humbi jetën kur plasi një zjarr.

Hera e fundit që minatorët morën paisje të reja ishte në vitin 1986. Por pavarësisht nga rreziqet dhe teknologjia e vjetëruar, minatorët e shohin veten si një familje e madhe dhe thonë se megjithëse kalojnë një pjesë të madhe të kohës nën tokë, të paktën e mbushin atë kohë me gaz.

Në përfundim të ditës në errësirë, grate pastrohen, bëjnë pak tualet dhe i kthehen jetës me dritë.

XS
SM
MD
LG