Lidhje

Një mysliman ndërton karrigen e Papës


Kisha katolike në Bosnje-Hercegovinë ka zgjedhur një familje myslimane që merret me zdrukthëtari për të ndërtuar një karrige që Papa Françesku do ta përdorë gjatë vizitës që ai do të zhvillojë në qershor në këtë vend. Tradicionalisht, boshnjakët ndërtojnë një karrige të re për çdo Papë që viziton Bosnjen. Por puna për ndërtimin e karriges kurrë nuk i është dhënë një zdrukthëtari myslimanë.

Familja Hajderovac nga qyteti i Zavidoviçit në Bosnjen verilindore njihet në rajon për ndërtimin e objekjteve prej druri, si dhe simboleve fetare të myslimanëve, katolikëve dhe të krishterëve ortodoksë. Tradita e familjes filloi 50 vjet më parë nga Sulejman Hajderovaci, dhe më pas traditën e familjes e mori përsipër djali i tij Salemi i cili ia mësoi profesionin edhe djait të tij, Edinit.
Kur Salemi mësoi në shkurt se Papa do të vizitonte Bosnjën, ai kontaktoi kishën katolike lokale dhe u ofroi atyre ndërtimin e një karrigeje për Papën. Propozimi iu dërgua udhëheqësve të kishës në Sarajevë.

"Ata na ftuan për të biseduar dhe ne arritëm një marrëveshje. Pas mbarimit të procedurës formale ne filluam të ndërtonim këtë karrige. Jam jashtëzakonisht i lumtur që morëm këtë projekt, sepse ndërtimi i një karrigeje për një njeri kaq të rëndësishëm është gjë e madhe për ne", thotë Salem Hajderovac, pronari i zdrukthëtarisë.

Kostoja e karriges do të mbulohet me donacionet private nga anëtarët e famullisë së Zavidoviçit dhe familjes Hajderovac.

"Kam patur një diskutim me anëtarët e kishës, dhe në fillim ishte e vështirë, sepse njerëzit kanë vështirësi ekonomike, por kur ata e kuptuan se ky projekt kishte të bënte me Papën, udhëheqësin katolik të botës, i cili do të vijë këtu edhe si një udhëheqës politik i botës, atëherë ata ranë dakord ta mbështesin projektin", thotë Miro Besliç, prifti katolik i Zavidoviçit

Familja ka rënë dakord që mos ta publikojë koston e ndërtimit të karriges.

"Ndërtimi i karriges për Atin e Shenjtë Papa Françesku, do të jetë një nder për mua dhe familjen time", thotë zdrukthëtari Edin Hajderovac.

Edin Hajderovac thotë se karrigia do të ndërtohet nga druri i arrës. Papa Françsku do të ulet në atë karrige gjatë një meshe më 6 qershor në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë. Rreth 100 mijë njerëz pritet të marrin pjesë në këtë meshë.

Ndërkohë prifti lokal shpreson se kjo karrige do të bëjë histori.

"Me këtë, famullia e Zavidoviçit do të hyjë në historinë e Bosnjës, dhe në një mënyrë, në historinë e Kishës Katolike dhe në historinë e botës",thotë Miro Besliç, prifti katolik i Zavidoviçit

Familja Hajderovac i ka shtyrë të gjitha porositë e tjera për të përfunduar karrigen deri në fund të majit, kur ajo duhet të dorëzohet në Sarajevë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG