Lidhje

Bosnjë: Një serb zgjidhet kryetar i Srebrenicës - myslimanët ndjehen të tradhtuar


Numërimi i votave në Srebrenicë
Numërimi i votave në Srebrenicë

Komisioni Qendror i zgjedhjeve në Bosnjë e Hercegovinë shpalli fitues të zgjedhjeve për postin e kryetarit të Srebrenicës një serb të Bosnjës, për herë të parë që prej vitit 1999, duke nxitur shqetësimin e familjarëve të mijëra myslimanëve të Bosnjës që u masakruan nga forcat serbe në këtë qytet në korrik të vitit 1995.

Mladen Grujiçiç, është kryetari i parë serb i kësaj komune në Bosnjën Lindore pas 17 vjetësh. Ai fitoi kundrejt kandidatit mysliman Qamil Duarkoviç, i cili ka paralajmëruar se do të ankohet sërish për shkak të parregullsive.

Reagimet çuan në rinumërim votash që vërtetuan fitoren e tij e cila u prit me zemërim nga të afërmit e viktimave të masakrës së Srebrenicës, më e rënda në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Rreth 8 mijë burra myslimanë të Bosnjës qenë masakruar në atë që është cilësuar si gjenocid në Srebrenicë, e cila atëbotë ishte shpallur "zonë e sigurt" nga trupat e Kombeve të Bashkuara.

Njëzetenjë vjet me pas, myslimanët dhe serbët boshnjakë jetojnë pranë njeri tjetrit, por fitorja e kandidatit serb ka nxitur shqetësim tek banorët myslimanë. Të afërmit e të vrarëve thonë se ndjehen "të tradhtuar" me fitoren e kandidatit serb.

"Ne qemë tradhtuar nga komuniteti ndërkombëtarë më 1995 kur u lamë në duart e vrasëseve dhe tani na tradhtuan për herë të dytë", i tha agjencisë së lajmeve AFP Hatixhe Mehmedoviçi, e cila ka humbur të shoqin dhe dy djemtë e saj dhe tash e drejton nja organizatë të të mbijetuarve.

Ajo tha Grujiçiç "nuk mund të drejtojë" qytetin, meqë "idhuj të tij janë kriminelët e luftës si Radovan Karaxhiç", ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992 - 1995, i cili në muajin mars të këtij viti u dënua me 40 vjet heqje lirie në Gjykatën për krime lufte në Hagë, për rolin e tij gjatë luftës dhe gjenocidit në Srebrenicë.

Ish presidenti serb Slobodan Milosheviç, i cili vdiq në Hagë më 2006 derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën, luajti rol thelbësorë në mbështetjen e serbëve të Bosnjës, ushtria e të cilëve drejtohej nga Ratko Mladiç, i cili aktualisht po gjykohet për krime lufte e gjenocid.

"Nuk kam frikë për veten. Ata më kanë vrarë shumë kohë me parë bashkë me bijtë e mi", tha zonja Mehmedoviç, duke shtuar se ka frikë "për të rinjtë që po përpiqen të rindërtojnë diçka në Srebrenicë".

Grujiçiç, një profesor i kimisë, 34 vjeçar, ka provuar të zbusë frikën e komunitetit mysliman, duke theksuar se komuna do të vazhdojë të ndihmojë për të përkujtuar ngjarjet e vitit 1995. Sipas tij në Srebrenicë kanë ndodhur "krime kundër myslimanëve", por nuk ka pranuar të thotë nëse bëhej fjalë për gjenocid.

Lufta e Bosnjës që la pas vetes 100 mijë të vrarë dhe 2 milionë të zhvendosur përfundoi në nëntor të vitit 1995 me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në Dayton, Ohio. Vendi mbeti i ndarë në dy entitete: Federatën myslimano-kroate dhe Republikën Serbe.

Srebrenica, mbeti në kuadër të entitetit serb, i cili është më afër Serbisë jo vetëm në pikëpamje gjeografike.

XS
SM
MD
LG