Lidhje

Bosnje, ceremoni me rastin e rivarrimit të 775 trupave të Srebrenicës


Bosnje, ceremoni me rastin e rivarrimit të 775 trupave të Srebrenicës
Bosnje, ceremoni me rastin e rivarrimit të 775 trupave të Srebrenicës

Njerëz të shumtë morën pjesë sot në ceremoninë e nisjes së kamionave me 775 trupa të masakrës së Srebrenicës, të cilat do të rivarrosen në Potoçari më 11 korrik. Në vitin 1995, rreth 8 mijë burra dhe djem nga Srebrenica mendohet se u vranë nga forcat serbe të Bosnjes ndërkohë që ishin të ndaluar prej tyre ose përpiqeshin të largoheshin nëpër pyje.

Qindra njerëz ndodheshin në ceremoninë emocionale të përcjelljes.

Deri tani në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit janë rivarrosur 3,647 viktima të Srebrenicës, të cilave do t’u shtohen edhe këto qindra të tjera.

Izeta Okanoviç thotë se humbi tre vëllezër dhe burrin në Masakrën e Srebrenicës.

"Humba tre vëllezër, burrin dhe gjithçka kisha. Njëri vëlla u gjet para tre vjetësh, një tjetër e rivarrosëm por ende nuk e kam gjetur trupin e tim shoqi,” thotë zonja Okanoviç.

Për herë të parë do të rivarroset një viktimë jo myslimane e masakrës.

Çdo vit në këtë përvjetor, qindra trupa rivarrosen në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit.

Pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjeve në Srebrenicë, trupat e mijra viktimave të tjera ende nuk janë gjetur ose pritet të identifikohen me anë të analizave të ADN-së.

Më 11 korrik 1995, forcat e serbëve të Bosnjes sulmuan enklavën e Srebrenicës të mbrojtur nga trupat e Kombeve të Bashkuara.

Në javën pas pushtimit të enklavës, rreth 8 mijë burra dhe djem të Srebrenicës mendohet se u vranë nga forcat serbe të Bosnjes kur ndodheshin të ndaluar ose kur përpiqeshin të iknin nëpër pyje. Burrat u rrasën nëpër depo, shkolla dhe haure bagëtish në zonën jashtë Srebrenicës pastaj u pushkatuan dhe u hodhën nëpër varre masive.

XS
SM
MD
LG