Lidhje

Vëllezërit Tsarnaev dhe planet e tyre terroriste


Autoritetet nju-jorkeze: Vëllezërit thurën plane spontane për sulme në sheshin Times Square

Kryetari i Bashkisë dhe Komisioneri i Policisë së Nju Jorkut thanë dje në një konferencë shtypi se të dyshuarit për shpërthimet në Maratonën e Bostonit kishin plane spontane për të sulmuar edhe Nju Jorkun, por këto plane nuk u zhvilluan kurrë përtej fazës fillestare.

Zyrtarët në Nju Jork thonë se vëllezërit e dyshuar për shpërthimet terroriste në Boston, Tamerlan dhe Dzhokar Tsarnaev, kishin bërë disa plane për ta përdorur materialin plasës që u mbetej në Times Square. Komisioneri i Policisë Raymond Kelly dhe kryetari i bashkisë Michael Bloomberg dhanë komente për gazetarët:

“Ai dhe i vëllai kishin në plan të shkonin me makinë në Nju Jork dhe të aktivizonin lëndën plasëse në Times Square. Ata kishin ndërtuar mjete plasëse që ishin të afta të realizonin sulme të tilla”.

Komisioneri i Policisë Kelly tha se i dyshuari i kapur gjallë, Dzhokar Tsarnaev njoftohet se u ka thënë hetuesve se ai dhe i vëllai kishin thurur plane spontane për të shkuar në Nju Jork me makinën e rrëmbyer dy ditë pas sulmeve në Boston. Por ata hoqën dorë nga planet kur panë se makina nuk kishte karburant të mjaftueshëm. Brenda pak orësh vëllai i madh mbeti i vrarë në një shkëmbim zjarri me policinë.

Glen Carle, një ish-zyrtar i lartë i shërbimeve të zbulimit në administratën e Presidentit George W. Bush tha se kishte mbetur i habitur që zyrtarët kishin vendosur të flisnin për një plan të dështuar që në fazat e para. Ai vuri në dukje se hetuesit besojnë se vëllezërit nuk kishin bashkëpunëtorë apo lidhje me një grup të madh terrorist:

“Tingëllon mjaft qartë se këta dy vëllezër ishin mbërthyer nga paniku dhe nuk e kuptoj përse është e nevojshme që të zhvillohet një konferencë për shtyp për të folur për diçka aq serioze sa një kërcënim ndaj një qendre metropolitane, kur në fakt nuk më duket se ekzistonte një kërcënim i tillë”.

Kryebashkiaku Bloomberg vuri gjithashtu në dukje se qyteti i Nju Jorkut ka një forcë të madhe policore dhe një rrjet kamerash në sheshin Times Square që mund të kishte parandaluar realizimin e sulmit. Por ai shtoi se nuk ka kurrë garanci për një gjë të tillë.
XS
SM
MD
LG