Lidhje

Zyrtarët, i dyshuari për shpërthimet në Boston nuk mund të flasë


Dzhokhar Tsarnaev është plagosur në zverk dhe në gjuhë, ndërsa përpiqej t'u shpëtonte autoriteteve të rendit

Zyrtarët amerikanë thonë se i dyshuari për shpërthimet në maratonën e Bostonit vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, dhe nuk mund të flasë për shkak të plagëve që ka marrë në zverk dhe në gjuhë, ndërsa përpiqej t'u shpëtonte autoriteteve të rendit.

Kryetari i Bashkisë së Bostonit, Thomas Menino tha për rrjetin televiziv ABC se Dzhokhar Tsarnaev ka pësuar plagë në zverk dhe në fyt, duke e bërë shumë të vështirë që të flasë. Zoti Menino tha se nuk dihet ende nëse autoritetet "do të jenë në gjendje ta marrin këtë individ në pyetje".

Ndërkohë po sot, një faqe interneti xhihadiste, e përdorur nga një lëvizje islamike e themeluar nga një militant çeçen, mohoi çdo lidhje me shpërthimet vdekjeprurëse në maratonën e Bostonit, për të cilat fajësohen dy të dyshuar çeçenë.

Në deklaratë thuhet se Muxhahedinët e Kaukazit nuk luftojnë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të thuhet: "Ne jemi në luftë me Rusinë, e cila është përgjegjëse jo vetëm për okupimin e Kaukazit, por edhe për krime makabre kundër myslimanëve".

Hetuesit amerikanë po shtyrtojnë një vizitë që njëri prej dy të dyshuarve bëri në Çeçeni dhe në Dagestan, që të dyja republika me popullsi kryesisht myslimane në Kaukazin verior të Rusisë dhe me aktivitete militante.

Të dhënat e udhëtimit tregojnë se 26 vjeçari Tamerlan Tsarnaev, i cili vdiq të premten nga një shkëmbim armësh zjarri me policinë, qëndroi 6 muaj në Dagestan vitin e kaluar.

Vëllai i tij i vogël, 19 vjeçari Dzhokhar Tsarnaev, u kap nga policia të premten pas një operacioni 24 orësh, madje vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe nën mbrojtje të përforcuar në një spital të Bostonit.

Prokurorët federalë ende nuk kanë finalizuar akt-padinë që do të ngrenë ndaj tij.

Vëllezërit Tsarnaev, me origjinë çeçene, erdhën zonën e Bostonit kur ishin të vegjël. Pjesëtarë të familjes dhe miqtë të tyre kanë shprehur mosbesim që ata qenë në gjendje të kryenin një krim të tillë të rëndë.
XS
SM
MD
LG