Lidhje

Ligjvënësit, pyetje FBI-së për vrasjet në Boston


Kongresi amerikan do t'u drejtojnë pyetje këtë javë zyrtarëve të lartë të sigurisë për të sqaruar se si e përdori FBI-ja informacionin e nxjerrë nga një intervistë me Tamerlan Tsarnaevin

Ligjvënësit në Kongresin amerikan do t'u drejtojnë pyetje këtë javë zyrtarëve të lartë të sigurisë për të sqaruar se si e përdori Byroja Federale e Hetimeve informacionin e nxjerrë nga një intervistë me Tamerlan Tsarnaevin, njërin ndër personat e dyshuar për shpërthimet në Maratonën e Bostonit, i cili u vra gjatë një shkëmbimi zjarri të enjten e kaluar.

Kohë më parë, FBI-ja e mori në pyetje Tsarnayevin lidhur me qëndrimin e tij për gjashtë muaj në Dagestan dhe Çeçeni vitin e kaluar.

FBI-ja u njoftua nga zyrtarët rusë se 26-vjeçari mund të kishte lidhje me ekstremistët. Por ajo nuk e identifikoi atë si kërcënim të mundshëm.

Senatorja Dianne Feinstein, e cila kryeson Komisionin e Senatit për Çështjet e Zbulimit, tha se komisioni do të përpiqet ta sqarojë këtë në një seancë me dyer të mbyllura. Edhe Dhoma e Përfaqësuesve do të informohet sot nga zyrtarë të sigurisë ndërsa Senati i plotë do të informohet në fund të kësaj jave.

Vëllai i Tsarnaevit, 19-vjeçari Dzhokhar, përballet me dënimin me vdekje nëse shpallet fajtor nën akuzat se ka përdorur një armë të shkatërrimit në masë. Nga shpërthimet në Boston javën e kaluar u vranë 3 persona dhe u plagosën më shumë se 200.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG