Lidhje

Parashikimi ekonomik në botë për vitin 2014


Ekonomia globale mund të jetë duke hyrë në një fazë të re. Statistika të reja lenë të kuptohet se disa prej pasigurive, që karakterizuan pjesën më të madhe të vitit 2013 duket se po zhduken me fillimin e vitit të ri, megjithatë ekonomistët kanë rezerva. Megjithë përmirësimet e vazhdueshme, papunësia në Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë e lartë, kriza e borxhit në Evropë është larg kapërcimit dhe ekonomia kineze vazhdon të ngadalësohet.

Në fund të 2013, më shumë njerëz gjetën punë në Shtetet e Bashkuara, ekonomia po rritet me një rritëm më të shpejtë gjatë 2 vjetëve të fundit dhe Kongresi miratoi një buxhet të ri, duke shmangur një mbylljeje tjetër të qeverisë federale.
Këshilltari i bizneseve të vogla, John Arensmeyer shikon një përmirësim të atmosferës së biznesit në vitin 2014.

“Mund të jetë një vit më i mirë se 2013, veçanërisht nëse nuk shikojmë ato lloj taktikash që pamë me mbylljen e qeverisë”.

Në anën tjetër të Paqësorit, ekonomia e Kinës është ngadalësuar pas rritjes dyshifror prej dekadash me radhë. Por edhe me një hvillim relativisht modest prej 7 për qindësh, ekonomisti i çështjeve ndërkombëtare, Uri Dadush thotë se Kina do të vazhdojë të ketë ndikim të madh ekonomik në rajon.

“Zhvillimi i ekonomisë kineze do të ngadalësohet gjatë një ose dy vjetëve të ardhshëm, por megjithatë do të jetë i mjaftueshëm për të ndikuar tek një numër i madh vendesh”.

Por ndërsa përmirësimi i kërkesës ka të ngjarë të jetë me përfitime për shumë vende, nga Kamboxhia në Japoni, ekonomitë evropiane vazhdojnë të jenë të dobëta.
Komisioni Evropian thotë se zhvillimi do të ngadalësohet në 18 vendet që përdorin Euron, ndërsa papunësia ka të ngjarë të rritet pak në vitin 2014. Megjithë reformat e fundit bankare, zoti Dadush thotë se masat e ashpra ekonomike në vendet që morën ndihma vazhdojnë të rëndojnë mbi ekonominë e Evropës.

“Italia është në vështirësi të mëdha dhe do të duhen disa vjet që edhe Spanja dhe Portugalia, madje dhe Irlanda të dalin nga vështirësitë ekonomike”.

Ende mbeten pa përgjigje pyetjet rreth ndikimit në botë të vendimit të bankës qendrore amerikane për të pakësuar stimujt monetarë. Ndërsa ka të ngjarë që çmimet e lëndëve të para të bien në vitin 2014, ekonomistët thonë se vendet që varen nga kjo industri mund të përjetojnë rënien e të ardhurave të tyre.

“Këtu përfshihet Brazili, por edhe Turqia dhe Hungaria, madje mund të përfshihet edhe Indonezia, e cila varet shumë tek industria e lëndëve të para”.

Në Lindjen e Mesme, disa prej vendeve të Pranverës Arabe, që janë ende politikisht të paqëndrueshme, pritet të përjetojnë vështirësi ekonomike gjatë vitit 2014.
Pinfan Hong kryeson zyrën e monitorimit të ekonomisë globale në Kombet e Bashkuara.

“Ne besojmë se disa përmirësime po krijojnë kushtet për t’i dhënë shtytje zhvillimit të ekonomisë globale gjatë vitit në vazhdim, pra ne presim që ekonomia globale të zhvillohet me rreth 3 për qind në vitin 2014”.

Parashikimet ekonomike për 2014-tën janë pozitive edhe për Afrikën. Pas një zhvillimi vjetor prej 4.8 për qind në vitin 2013, Banka e Zhvillimit Afrikan parashikon që zhvillimi ekonomik i Afrikës të arrijë në 5.3 për qind, rritëm ky i nxitur nga zhvillimi i fuqishëm i sektorit të shërbimit si dhe rritja e sektorit të bujqësisë dhe minierave.
XS
SM
MD
LG