Lidhje

Bota e Artit gjatë vitit 2011


Bota e Artit gjatë vitit 2011
Bota e Artit gjatë vitit 2011

Viti 2011 ishte për t’u shënuar në botën e artit.

Mjeshtrat e traditës klasike si Leonardo da Vinçi ishin përsëri në syrin e publikut, por nuk munguan edhe emra të artit modern, si impresionistët francezë.

2011 ishte viti i Kinës për fuqinë blerëse që diktoi shumë nga çmimet e veprave më të kërkuara në ankandet e artit.

Ankandi i Artit në Hong Kong, zhvilluar në maj 2011 përkoi me daljen e Kinës në skenë si tregu numër dy në botë për blerjen e veprave të artit, pas Shteteve të Bashkuara.

Vëllimi i shitjes së veprave të artit në Azi u shumëfishua vit pas viti dhe tani ankandi i Hong Kongut drejtohet nga e njëjta kompani që organizon dy ankandet më të rëndësishme në botë, Art Basel dhe Basel Miami.

Kina realizoi blerje në botën e artit me vlerë 8.3 miliardë dollarë, duke marrë 23 për qind të vlerës së tregut global dhe duke ia kaluar edhe Britanisë.

2011 nxori gjithashtu në pah shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë dhe mungesën e tolerancës ndaj artistëve disidentë.

Ai Weiwei, arkitekti i stadiumit “Çerdhja e Zogut” për Lojërat Olimpike të vitit 2008, u arrestua më 3 prill në një fushatë kundër disidentëve.

Artisti u lirua në qershor, pasi ishte akuzuar për evasion fiskal, ndërkohë që i duhet të paguajë 2.4 milionë dollarë taksa dhe gjoba. Miq e përkrahës po përpiqen të grumbullojnë fondet për ta ndihmuar.

Në tetor, revista 2011 e renditi Ai Weiwei si artistin më me ndikim në botë, duke shkaktuar irritim të mëtejshëm për autoritetet kineze.

*****

Në muajin maj, qytetit belg Antwerp iu shtua një muze i ri.

Kulla prej guri dhe xhami është një tjetër dëshmi e faktit që ky qytet i rëndësishëm historik ka vlerën e tij në botën e artit modern.

Objekti i ri i njohur si MAS, ose “Muzeu mbi Lum” ndodhet në brigjet e lumit Scheldt dhe do të ketë në koleksionin e tij punime të traditës evropiane të pikturës si dhe artit Maor, që pasqyrojnë të kaluarën e qytetit si një nyje e rëndësishme tregtare dhe port kryesor në Evropë.

****

Në qershor, arti arab ishte elementi kryesor i Bienales së Venecias, organizimi më i madh në botë me mbi 250 mijë vizitorë.

Për më shumë se 100 vjet, ky aktivitet u ka ofruar vendeve të ndryshme një platformë për të prezantuar elementët më të mirë të kulturës së tyre.

Arti egjiptian ishte prezantuar me veprat e artistit Ahmed Basiony, 31-vjeçari që u vra kur po xhironte protestat në sheshin Tahrir të Kajros. Xhirime nga protestat dhe puna e artistit u shfaqën në Bienale.

*****

Nju Jorku prezantoi vjet një emër të ri në botën e artit, një gjeni të vogël që ka arritur një sukses që e lakmojnë artistë të stabilizuar prej dekadash.

4 vjeçarja Aelita Andre hapi ekspozitë me punimet e saj në lagjen Chelsea të Nju Jorkut, ku nuk e pati të vështirë të gjejë blerës për veprat e saj.

Australiania e vogël filloi të pikturonte që kur ishte 20 muajshe dhe tani ka marrë nofkën “Gjeni i Ngjyrave”. Mosha e re, apo temat fëmijnore të veprave të saj nuk i ka dekurajuar blerësit të cilët paguajnë mijëra dollarë për një nga pikturat e Aelita-s.

****

Në vjeshtë të vitit që kaloi Akademia Mbretërore në Britani organizoi një ekspozitë me vepra të impresionistit francez Edgar Dega.

Ekspozita e titulluar “Dega në Balet” përqendrohej tek pasioni i artistit për baletin dhe bukurinë e lëvizjes, duke njohur vizitorët me mënyrën se si Dega e shfrytëzonte teknologjinë e filmit dhe fotografisë për të studiuar poezinë e lëvizjes.

Darcey Bussell, ish-balerinë me Baletin Mbretëror të Londrës thotë se Dega e kapi në mënyrë të përsosur objektin e tij të interesit:

"Ai qëndronte në cep të skenës dhe i ndiqte pa ndërprerje balerinat, se si futeshin në skenë, si përkuleshin, si visheshin. Ai arriti të kapë botën e baletit ndryshe nga kushdo tjetër”.

****

Në tetor rreth 200 vepra arti të koleksionit të shkrimtares amerikane Gertrude Stein dhe vëllezërve të saj u prezantuan për publikun në Paris.

Zonja Stein ishte vendosur në Paris në fillim të shekullit të 20 dhe gradualisht u bë një ndër përkrahëset më të fuqishme dhe më me ndikim të artit modern.

Artistë, ende të panjohur në atë kohë, si Matis, Pikaso, Renuar, Dega, Sezan dhe Mané, kërkuan dhe gjetën tek ajo një mbështetje dhe frymëzim të paçmueshëm.

Artistë dhe intelektualë, përfshirë shkrimtarët F. Scott Fitzgerald dhe Ernest Hemingway, ishin frekuentues të rregullt të rrethit artistik që kishte krijuar në Paris Gertrude Stein dhe vëllezërit e saj.

Ekspozita do të hapet këtë vit edhe në Nju Jork në Muzeun Metropolitan të Artit.

****

Viti i kaluar u mbyll me një ndër emrat më të mëdhenj të artit të të gjitha kohërave. Galeria Kombëtare në Londër prezantoi vjet një përzgjedhje të disa prej veprave më të mëdha të Leonardo da Vinçit.

Duke qenë se pikturat e tij janë tepër delikate, ky mund të jetë rasti i fundit për t’i parë këto vepra në një prezantim të përbashkët publik.

Ekspozita “Leonardo Da Vinçi: Piktor i Oborrit të Milanos” ndalet tek krijimtaria e gjeniut të madh gjatë kohës që ishte piktor i oborrit të Ludoviko Sforza në Milano në fund të shekullit të 15.

Ekspozita u organizua pas restaurimit pikturës “Virgjëresha mbi Shkëmbinj” që këtë radhë është ekspozuar përkrah versionit tjetër të kësaj pikture, që i përket koleksionit të Muzeut të Luvrit në Paris.

Thuhet që as vetë autori i tyre, Da Vinçi, nuk i ka parë dy punimet pranë njëri-tjetrit, pasi i pikturoi në kohë të ndryshme. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 shkurt 2012.

XS
SM
MD
LG