Lidhje

Bota reagon me hidhërim për vdekjen e diplomatit Riçard Hollbruk


Bota reagon me hidhërim për vdekjen e diplomatit Riçard Hollbruk
Bota reagon me hidhërim për vdekjen e diplomatit Riçard Hollbruk

Komuniteti ndërkombëtar reagoi me hidhërim për vdekjen e diplomatit të shquar amerikan Riçard Hollbruk, i cili u nda nga jeta mbrëmë në moshën 69-vjeçare ndërkohë që shërbente si i dërguar i posaçëm i administratës për Afganistanin dhe Pakistanin. Zotit Hollbruk do të mbahet mend mes të tjerash si kryenegociator i marrëveshjeve të Dejtonit për vendosjen e paqes në Bosnje-Hercegovinë. Ai negocioi edhe me udhëheqësit serbë në Beograd para fillimit të bombardimeve të Natos në Kosovë.

Presidenti Barak Obama bëri një deklaratë në të cilën shprehte hidhërim të thellë për vdekjen e zotit Hollbruk. Ai e quajti diplomatin “një gjigand të vërtetë të politikës së jashtme amerikane”, që e bëri vendin e tij më të fortë, më të sigurt dhe më të respektuar.

Sekretarja Klinton e quajti zotin Hollbruk njërin prej mbrojtësve më të fuqishëm të vendit dhe ndër zyrtarët publikë më të përkushtuar.

Diplomati vdiq në një spital të Uashingtonit tri ditë pasi pësoi një çarje të aortës gjatë një takimi në Departamentin e Shtetit me Sekretaren Klinton.

Ai iu nënshtrua dy operacioneve të gjata të shtunën dhe të dielën por vdiq nga komplikacionet.

Një ndër arritjet kryesore të zotit Hollbruk ishte negocimi i marrëveshjeve të Daytonit në vitin 1995, që sollën vendosjen e paqes në Bosnje-Hercegovinë.

Ministri i jashtëm suedez, Karl Bildt, ishte bashkëkryetar i konferencës së Dejtonit:

"Ai ishte një gjigand i vërtetë mes diplomatëve të kohës sonë. Një ndër më të mirët, luftëtari më i fuqishëm i të gjitha çështjeve në të cilat besonte dhe i interesave të vendit të tij. Ishte një mik kritik i Evropës por një mik i ngushtë i imi."

Haris Silajxhiç, President i Bosnjes, tha:

"Bota ka humbur një diplomat shumë të aftë. Ne na duhen njerëz kudo në botë për të parandaluar luftërat dhe për të bërë paqe. Ai ishte një ndër më të mirët.”

Bill Klinton, i cili ishte president në kohën e nënshkrimit të marrëveshjeve të Dejtonit e vlerësoi Hollbrukun për “jetën dhe shërbimin e tij të shkëlqyer në vijat e frontit mes luftës dhe paqes, mes lirisë dhe shtypjes.”

XS
SM
MD
LG