Lidhje

Botërori 2026


Procesi i kandidimit për Botorërin 2026 në futboll është shtyrë pas akuzave për rryshfete që përfshiu organin drejtues, FIFA-n. Shtetet e Bashkuara shihen si njëri ndër vendet në vijën e parë të konkurrencës për t'u bërë mikpritëse të botërorit. Henry Ridgwell njofton nga Londra mbi akuzat e fundit për korrupsion që kanë tronditur botën e futbollit.

Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s Jerome Valcke mbërriti në qytetin rus të Samaras të martën – qytet mikëpritës i Botërorit 2018.

Ndërtimi i stadiumit prej 45 mijë vendesh po shkon sipas planit. Por akuzat për korrupsion vazhdojnë të gërryejnë FIFA-n. Mes akuzave për rryshfete në garën për Botërorin 2018 dhe 2022, FIFA njoftoi se procesi i kandidimit për vitin 2026 është shtyrë.

“Për shkak të situatës, mendoj se nuk ka logjikë të fillojë procesi i kandidimit tani për tani.”

Politika e rotacionit të FIFA-s do të thotë që Botërori 2026 duhet të mbahet në Kontinentin Amerikan dhe Shtetet e Bashkuara janë në vijën e parë të konkurrimit. Shtyrja është e logjikshme, thotë Martin Lipton i revistës britanike Sun.

“Nëse do të ketë ndyshim të vendit për 2022-shin, atëherë nevoja për rotacion do të thotë se duhet të ndryshojë lista e kandidatëve potencialë për 2026-n.”

Lipton thotë se për shkak të kohës së shkurtër nuk ka të ngjarë që procesi i kandidimit për Botërorin 2018 të riorganizohet megjithë akuzat për korrupsion. Ministri rus i Sportit hodhi poshtë akuzat për rryshfete.

“Ne vepruam sipas rregullave që kishte në atë kohë. Mund t’u siguroj se në se do të kishte diçka ajo do të ishte zbuluar brenda dy apo tre vjetësh.”

Organizimi i botërorit 2022 nga Katari është më pak i sigurtë thotë gazetari i futbollit Martin Lipton.

“Ka kërkesë të madhe nga klubet dhe ligat evropiane për të lëvizur nga një tur dimëror në një tur tradicional veror. Dyshimet për ndershmërinë e procesit të votimit vazhdojnë të forcohen. Mendoj se vendi i botërorit 2022 do të ndryshojë..”

Ministri i jashtëm i Katarit i mohoi akuzat për rryshfete dhe akuzoi rivalët si anti-arab.

"Disa vende nuk duan të shohin që një shtet arab në Lindjen e Mesme të organizojë një kampionat të tillë për botën arabe."

Katari po përballet me kritika të tjera për sigurinë e punëtorëve në ndërtimet për Kampionatin Botëror. Konfederata Ndërkombëtare e Sindidatave parashikon se gati 4 mijë imigrantë mund të vdesin deri në fillimin e kampionatit në vitin 2022. Punëtorëve u mohohen të drejtat bazë, thotë Mustapha Qadri i organizatës Amnesty International.

“Ata nuk janë të lirë të zgjedhin punëdhënësin e tyre apo ta ndryshojnë atë, të largohen nga vendi kur të duan. Të ankohesh rreth kushteve të tyre mund të rezultojë në ndalim nga policia.”

Katari thotë se ka punësuar inspektorë dhe po krijon kushte më të mira. Por nëse akuzat për korrupsion vërtetohen – e gjithë kjo mund të jetë një humbje e madhe parash dhe jetë njerëzish.

XS
SM
MD
LG