Lidhje

Brazili mund Kroacinë 3-1


Brazili është një hap më pranë Kupës së Botërorit, duke qenë edhe pretendenti kryesor në këtë kampionat. Por ky vend organizator duket se kishte nevojë për pak ndihmë nga arbitrat në ndeshjen e parë të zhvilluar dje në San Paolo.

Pas golit të parë të shënuar nga Kroacia në minutën e 11, Brazili e mori veten pa vonesë duke e mbyllur ndeshjen 3-1.

Ylli brazilian Neymar shënoi dy gola, përfshirë njërin me penallti, ndërsa lojtari tjetër brazilian Oscar e çimentoi fitoren me golin e tretë.

Penalltia e gjuajtur nga Neymar i dha Brazilit avantazhin 2-1 dhe u realizua pas një vendimi të arbitrit në minutën e 71, kur lojtari brazilian Fred u rrëzua në zonë, pas një goditjeje të lehtë. Lojtarët kroatë i kërkuan arbitrit të ndryshonte vendimin, por nuk arritën sukses.

Më vonë Kroacia kishte rastin të barazonte në minutën e 83, por goli i Ivica Oliç u anulua pasi arbitri deklaroi faul.

Kroacia e filloi lojën me avantazh kur në minutën e 11, mbrojtësi brazilian Marcelo shënoi në portën e tij.

Ndeshja Brazil-Kroaci ishte e vetmja në ditën e parë të Botërorit. Sot në Grupin A, Meksika ndeshet me Kamerunin, ndërsa kampionia e Botërorit të fundit, Spanja, do të përballet me Holandën dhe në Grupin B ndeshen Argjentina dhe Kili.
XS
SM
MD
LG