Lidhje

BP do të rifillojë provat me kupolën e re për të penguar rrjedhjen e naftës

  • Zëri Amerikës

Kompania BP do të rifillojë provat me një kupolë të re 75 tonëshe për të penguar rrjedhjen e naftës nga fundi i detit në Gjiri i Meksikës. Njoftimi vjen ndërkohë që u arrit të riparohej një e çarë në njërin prej tubave që lidhen me kupolën. Zyrtarët po tregohen të kujdesshëm që provat e reja të mos rëndojnë më tej katastrofën ekologjike e cila filloi tre muaj më parë me shpërthimin e një platforme shpimi në det.

Kupola e re përmban një sistem valvulash dhe tubash. Të hënën ajo u vendos mbi pusin e çarë në fund të detit por zyrtarët ngurruan të lejojnë menjëherë fillimin e provave për mbylljen graduale të valvulave nga frika se presioni i naftës që rrjedh nga fundi i detit mund të krijojë një problem më të madh.

Synimi është që me anë të kupolës së re, pusi i dëmtuar ose të bllokohet krejtësisht ose prej tij të thithet një sasi nafte e cila të kalohet te anijet çisternë mbi sipërfaqe.

Admirali i Rojes Brgdetare Thad Allen i cili mbikqyr operacionet në emër të qeverisë amerikane tha se autoritetet më në fund e lejuan fillimin e provave pasi i shqyrtuan me kujdes rreziqet e mundëshme.

"Ne u dhamë atyre një farë drejtimi të ri dhe e bëmë këtë për të qenë të sigurt, ndoshta treguam më shumë kujdes se duhej dhe qëllimi ishte të mos shkaktonim dëmtim të mëtejshëm të çarjes nga rrjedh nafta," tha zoti Allen.

Kompania BP i filloi provat me mbylljen e tubave që çojnë një pjesë të naftës në anijet çisternë në sipërfaqe, duke bërë që presioni i naftës në kupolën e re të rritej.

Pastaj, robotët nisën të mbyllin gradualisht njërën-pas tjetrës tre valvula në kupolë që lejonin daljen e naftës derisa rrjedhja të bllokohet plotësisht.

Gjatë gjithë këtij procesi, inxhinjerët do të kontrollojnë presionin e naftës për të parë nëse ka ndonjë dëmtim.

Zyrtarët thanë se do ta kontrollojnë presionin çdo 6 orë deri sa ta përfundojnë provën pas 2 ditësh dhe të shikojnë rezultatin.

XS
SM
MD
LG