Lidhje

BP shtyn provën me një kupolë të re të vendosur në pusin e dëmtuar të naftës


BP shtyn provën me një kupolë të re të vendosur në pusin e dëmtuar të naftës
BP shtyn provën me një kupolë të re të vendosur në pusin e dëmtuar të naftës

Kompania BP po bën përgatitje për mbylljen e valvulave në kapsulën e re të vendosur mbi pusin e dëmtuar në Gjirin e Meksikës, një proces i cili do ta bllokonte gradualisht rrjedhjen e naftës nga fundi i detit. Gjatë tre muajve që kur filloi katastrofa, në det kanë rrjedhur 681 milion litra naftë. Kupola e re që u vendos mbi pus të hënën mbrëma ishte një masë e përkohshme në serinë e hapave për ta bllokuar plotësisht rrjedhjen e naftës.

Faza tjetër do të jetë mbyllja gradualisht e valvulave në kupolën ku janë lidhur një numër tubash. Inxhinjerët do të mbajnë nën vëzhgim presionin për të parë nëse kupola do të arrijë t’i rezistojë trysnisë së naftës që rrjedh. Sipas ekspertëve, ndalimi i përnjëhershëm i naftës mund të çojë në shpërthimin e kupolës dhe në dëmtimin e mëtejshëm të pusit.

Ky operacion duhet të zgjaste nga 6 deri në 48 orë dhe ishte në plan të fillonte dje në mesditë. Por më pas, kompania tha se ishte treguar më optimiste se duhej dhe i shyu planet.

Kompania BP dhe përfaqësuesi kryesor i qeverisë që po ndjek krizën – rrjedhja më e madhe e naftës në historinë amerikane – theksuan se nuk mund të jepnin garanci dhe u bënë thirrje banorëve të Gjirit të tregonin durim.

"Edhe nëse e frenojmë pusin dhe e bllokojmë atë nga mesi i gushtit, përsëri sasia e naftës së rrjedhur është e madhe,” tha admirali Thad Allen, komandant i Rojes Bregdetare i ngarkuar me çështjen e naftës.

Nëse kupola funksionon, kompania BP do të jetë në gjendje të frenojë rrjedhjen e naftës në det. Nëqoftëse kupola e vendosur nuk e përballon dot presionin ose diktohet rrjedhje nafte nga kupola, atëhere do të duhet që të rihapen disa prej valvulave dhe të lejohet që një pjesë e naftës të rrjedhë në det ose të thithet përmes tubacioneve duke e dërguar në katër anije mbi det.

Përgjatë brigjeve të Gjirit, ku rrjedhja e naftës ka dëmtuar rëndë turizmin dhe industritë e peshkimit, që janë jetike për rajonin, njerëit po presin me padurim të mësojnë mbi rezultatin e përpjekjeve të bllokimit.

Kupola është një masë e përkohshme e cila nuk mund ta frenojë rrjedhjen e naftës përgjithmonë. Për ta bllokuar rrjedhjen në mënyrë të përhershme, pusi i dëmtuar duhet betonuar.

Për këtë qëllim, kompania BP po shpon dy puse anësore që do të lidhen me atë të dëmtuarin, ndoshta nga fundi i korrikut.

Pas kësaj, rajoni i Gjirit do t’i nënshtrohet operacioneve të gjata të pastrimit.

XS
SM
MD
LG