Lidhje

35 vjet burg për Bradley Manning


Ushtari amerikan Bradley Manning u dënua me 35 vjet burg për dhënien e informacioneve sekrete grupit WikiLeaks, shkelja më e rëndë e sekretit shtetëror në historinë amerikane.

Një gjyqtare e ushtrisë amerikane, kolonelja Denise Lind, e shpalli dënimin sot në bazën ushtarake Fort Meade në Merilend. Ajo tha se ish-analisti 25 vjeçar i shërbimeve të zbulimit do të çmobilizohet nga ushtria dhe do të humbë rrogën.

Bradely Manning përballej me një dënim prej deri në 90 vjet burg sipas ligjit, ndërkohë që prokurorët kishin kërkuar 60 vjet, por avokatët e tij mbrojtës donin zbutjen e dënimit për t’i dhënë atij mundësi për rehabilitim.

Dënimi i jep fund procesit gjyqësor prej 12 javësh, dhe një beteje të gjatë ligjore mbi synimet e zotit Manning, kur ai publikoi më shumë se 700 mijë dokumente sekrete për faqen WikiLeaks. Dokumentet përfshinin komunikimet diplomatike të Departamentit amerikan të Shtetit si dhe raporte nga lufta në Irak dhe Afganistan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG