Lidhje

Brahimi: Gjendja në Siri po përkeqësohet


Avionët luftarakë në Siri bombarduan objektiva të forcave rebele në periferi të Damaskut. Aktivistët thonë se sulmi i sotëm ajror është më i fuqishmi në kryeqytet, që kur filloi kryengritja 19 muaj më parë.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Lidhjes Arabe, Lakhdar Brahimi tha se gjendja në Siri po përkeqësohet dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet për të ndihmuar popullin sirian në gjetjen e një zgjidhjeje për krizën.

Pas bisedimeve të sotme në Moskë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, zoti Brahimi shprehu keqardhje që armëpushimi nuk u respektua, por shtoi se ky dështim nuk do të shkurajojë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje.

I dërguari Brahimi tha gjithashtu se Kombet e Bashkuara nuk do të dërgojnë një operacion për ruajtjen e paqes në Siri. Zoti Brahimi i kishte bërë thirrje qeverisë siriane dhe kryengritësve që të respektonin armëpushimin gjatë Kurban Bajramit, por të dyja palët i vazhduan luftimet.

Aktivistët në Siri thonë se forcat qeveritare ndërmorën sulme nga ajri në disa zona të caktuara, duke përfshirë edhe periferitë e Damaskut, ndërsa dje trupat qeveritare u përleshën me forcat rebele në disa rajone të vendit, duke shkelur përsëri armëpushimin.
XS
SM
MD
LG